Kryebashkiaku i Tiranës: 2024 viti i investimeve në periferi
Viti 2024 do të jetë viti i investimeve në periferi të kryeqytetit. Kështu deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, në një intervistë në Klan News. Sipas Veliajt, Tirana është zgjeruar ndaj duhet vëmendje për zonat periferike, por pa lënë pas dore qendrën.
“Periferia është një nocion në lëvizje. Sot periferia konsiderohet Zallbastari, Krraba, Kashari dhe Ndroqi. Një pjesë e madhe e investimeve do shkojnë për këtë lloj periferie.”
Kryebashkiaku Veliaj, u shpreh se po punohet për projektin e linjave të shpejta të autobusëve.
“Besoj që për këto 3 linja që kanë shumicën e trafikut, siç është Kinostudio-Kombinat, siç është Unaza dhe gjithë linja e Tiranës së Re ku është mbi 70% e volumit të trafikut. Praktikisht do përgjysmohet koha dhe do dyfishohet shpejtësia për të bërë këto linja.”
Teksa komentoi edhe zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Veliaj tha se synohet një fitore cilësore dhe për të marrë më shumë se gjysmën e mandateve në parlament.
Fokus i veçantë në PS po i kushtohet anëtarësimeve të reja gjë që do të sjellë një frymë ndryshe, për të qenë gati për betejën e 2025.
Klan News