Në fjalën e mbajtur në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit, bashkëorganizuar për herë të parë në Ballkan me Organizatën Botërore të Turizmit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu krenarinë e tij për organizimin e këtij aktiviteti kaq të madh në kryeqytetin shqiptar.

“Jam vërtet krenar për punën që ministrja jonë e Turizmit, Mirela Kumbaro, dhe stafi i saj kanë bërë. Është një energji pozitive e jashtëzakonshme në Tiranë. Mezi pres që nga ky organizim, të kemi një eksperiencë se si mund të ndajmë së bashku paketën turistike, si mund të vizitojmë njeri-tjetrin më shumë, se si përpara se të mikpresim botën, të sigurohemi që mikpresim njëri – tjetrin dhe i hapim dyert njëri-tjetrin”, tha Veliaj.

Mandej, kryebashkiaku foli për arsyet që kanë çuar në numrin e lartë të turistëve në Tiranë.

“Tirana këtë vit është Qyteti Evropian i Sportit, vjet ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë. E shfrytëzuam këtë mundësi për të sjellë sa më shumë aktivitete, për të prodhuar ekonomi e për t’u siguruar që imazhi i vendit dhe rajonit tonë lartësohet për t’u bërë tërheqës për vende të tjera. Sot jemi në një situatë ku politikat tona të transportit, siç ka qenë ndërtimi i aeroporteve të reja, ulja e tarifave në aeroportin tonë, apo hapja ndaj tregjeve të ndryshme, siç mund të jetë vendet e Gjirit apo Azia, ka prodhuar politika që kanë sjellë një numër të konsiderueshëm turistësh në vendin që dikur ka qenë më i izoluari në Europë”, tha Veliaj./tvklan.al