“Rindërtimi, mundësi për ringritjen e institucioneve arsimore”

Kryebashkiaku i Tiranës njëherazi drejtues politik i Partisë Socialiste për Kavajën, ka inspektuar punimet për godinën e re të konviktit të shkollës profesionale “Charles Telford Erikson” në Golem, e cila ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

Veliaj tha se fatkeqësia e tërmetit solli një mundësi për ringritjen dhe rimëkëmbjen edhe të institucioneve arsimore në vend.

“Është fundjavë, por meqë tërmeti nuk bën pushim, meqë pandemia nuk bën pushim, as puna nuk duhet të bëjë pushim. Nga ecuria e punimeve duket sikur do të jetë gati për semestrin e dytë. Jam i sigurt se hyrja në konviktin e bujqësores do të kthehet në diçka shumë të kërkuar. Këto janë para që hidhen në ekonomi, ndihmojnë rimëkëmbjen nga problematikat që solli pandemia”.

Godina ekzistuese e konviktit ishte ndërtuar që në vitin 1925, nga një misionar amerikan, i lidhur shpirtërisht me çështjen shqiptare, por edhe me çështjen e arsimit. Bashkë me shkollën, e ndërtuar nga e para me investimin e buxhetit të shtetit 3 vite më parë, konvikti plotëson këtë vatër të rilindur dhe çon në vend dinjitetin e emrit të rëndësishëm që ato mbajnë.

Tv Klan