Kreu i Bashkisë së Tiranës: Meta dhe Berisha përçajnë shqiptarët, Basha nuk ka punuar asnjë ditë

Nga njësia numër 2, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se aty janë bërë investime të rëndësishme, duke theksuar ndërtimin e shkollave të reja në kryeqytet. Ai kërkoi votën për PS-në dhe kryeministrin Rama, për atë që ka bërë në 8 vite të qeverisjes.

“Çerdhet e kopshtet, këtë e kemi bërë kudo. Nga 30% kapacitet, duhet të ishe më i lodhuri t’i çoje në çerdhet publike sepse lëpihej ajo ngjyra jeshile e shpifur e kanaleve të zeza kudo. Kush i çonte fëmijët? Sot janë rregulluar të gjitha, janë 5 aplikime për një vend. Kur ra tërmeti Edi Rama ishte me të gjithë. Nuk tha jam vetëm me socialistët. Një për të gjithë”, tha Veliaj.

Veliaj sulmoi dhe kundërshtarët politikë, duke sfiduar kreun demokrat Basha.

“Saliut dhe Ilirit ju eci nja 30 vjet, por tani u ka dalë boja. I gjithë llumi është bërë bashkë. I gjithë llumi i OFL-së, llumi që është sot subjekt i SPAK. Unë do ta lë Bashkinë e Tiranës në momentin që dikush të më thotë që Lul Basha ka bërë një shkollë në 4 vite ”, u shpreh Veliaj.

Veliaj tha se Partia Socialiste nuk do taksojë asnjë pagë deri në 40 mijë lekë, ndërsa tha se taksa e sheshtë 9% e përfshirë në programin e PD dëmton të varfërit dhe favorizon të pasurit.

Klan News