Në Petrelë, ku u ndal në turin e riorganizimit të Partisë Socialiste në çdo njësi, drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës, Erion Veliaj theksoi se platformat për kryetarë dhe bashkëkryetarë në Farkë, Petrelë, Baldushk dhe të në gjitha njësitë e Qarkut të Tiranës, duhet t’i përgjigjen edhe pyetjes: si duhet t’i flasim gjeneratës së të rinjve.

“Në vitin 2023 do të votojnë për herë të parë çuna dhe goca që kanë lindur në 2005. Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë marrë rrugën e tyre. Ndaj, të rinjtë duhet patjetër ta mësojnë nga familja dhe nga historia ’96-ën, ’97-ën, ’98-ën, 21 Janarin dhe Gërdecin. Ne duhet t’u flasim me gjuhën e 2023,” nënvizoi më tej ai.

Veliaj shtoi se kur e pyesin se kë mund të këtë përballë në zgjedhjet e ardhshme vendore, ka vetëm një përgjigje:

“Ka shumë njerëz që më pyesin a do kandidojë Presidenti në ikje apo Saliu? Po kjo nuk ka fare rëndësi! Ne i kemi mundur ata edhe tek e tek, edhe të gjithë bashkë, me kuç e me maç. Nuk ka rëndësi fare kombinimi i tyre. Kur llogaria e shtëpisë tënde të del në rregull, nuk ka rëndësi fare çfarë ka shtëpia tjetër. Ne bëjmë llogaritë e shtëpisë tonë dhe për sa kohë Partia Socialiste është shtëpia më e madhe, më e fortë dhe më e bashkuar, ne jemi fitimtarë”, tha ai.

Pastaj, kryebashkiaku theksoi se në Tiranë do të ketë edhe një treg ushqimor publik, për të thyer monopolin e privatit.

“Bashkë me Ministrinë e Bujqësisë po ngrejmë më në fund një treg shumice, ku secili të shesë sa të dojë, sa të prodhojë, sa të mundet, pa barriera financiare, për t’u siguruar që fitojnë jo vetëm ata, por edhe çdo familje e Tiranës, që do të gjejë në tavolinë një produkt që vjen vetëm nga një kilometër larg”, tha Veliaj./tvklan.al