Protestat dhe bojkoti i opozitës ishin në qendër të fjalës që kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj mbajti në Këshillin Bashkiak. Ai tha se menaxhimi i Bashkisë së Tiranës nuk do të ndalet nga aksioni i opozitës.

“U bojkotua herën e parë dhe nuk është habi që u bojkotua dhe herën e fundit. Menaxhimi i bashkisë pa opozitën do të bëhet siç është bërë. Do shihemi të gjithë së bashku edhe mandatin tjetër, mandatin tjetër do jemi më mirë seç ishim”.

Kryebashkiaku tha se socialistët synojnë fitimim e 61 mandateve në zgjedhjet e 30 Qershorit.

“Ne do të luftojmë për çdo mandat, për të 61 mandatet. Nuk ka rëndësi futen ata ose futen parti të tjera të vogla, për ne marrja seriozisht e fushatës është fillimisht respekt ndaj votuesve. Kemi edhe një listë rezervë ku duam të promovojmë dhe shumë nga të rinjtë dhe të rejat tanë për t’u siguruar që Tirana e ka një Këshill Bashkiak aktiv me një shumicë që na mundëson të marrim vendime të rëndësishme, të ecim shpejt, më e mira është përpara”.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u miratuan 25 projektvendime, mes të cilave miratimi i programit buxhetor afatmesëm 2020-2022, për trajtimin me bonus qiraje për disa familje në nevojë, vlerësimin e aksioneve për klubin e futbollit Tirana, dhe aprovimin e tyre për shitje, krijim e muzeut “Shtëpia studio Kadare”.

Tv Klan