“Ata kanë hallin e tyre, ne mendojmë për qytetarët”

Drejtuesi politik i socialistëve për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, nga Kavaja, ku prezantoi kandidatët për Këshillin Bashkiak, e quajti fyerje atë që po u bëhet demokratëve, për në 14 Maj

“A ka fyerje më të madhe për demokratët, që të detyrohen nga Sali Berisha dhe të votojnë listën e Ilir Metës? armikut më të përbetuar të së djathtës? Atë që rrëzoi çdo qeveri të djathtë? Që minoi çdo qeveri të djathtë dhe tradhtoi çdo pakt me të djathtën? që çdo ditë dalin faturat se paguhet nga Rusia. Shokë, kush është ai demokrat që me sinqeritet pranon të shkojë si ‘cjapi te kasapi’? por që të fyhet çdo demokrat i Kavajës dhe t’i kërkohet që të votojë listën e rublave të Ilir Metës, ku praktikisht po shitet Partia Demokratike, te armiku më i betuar i të djathtës, ky është mëkat i madh”.

Veliaj ka ironizuar deputetët e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë.

“Kush janë deputetët e opozitës në Kavajë? I morën mandatet dhe i lanë. Dikush shkoi të punonte në një televizion – shumë mirë, i qoftë puna mbarë, dhe e la mandatin – tjetri mori 300 vota.  O shokë, mos u ndani në të majtë e në të djathë! Ndaj, kush nuk e jep votën për Partinë Socialiste dhe për Redi Kralin, e ka hedhur votën kot. Ja ka dhënë dikujt që Kavajën e harron sapo mbarojnë zgjedhjet”.

Edhe në një takim që pati më pas në Rrogozhinë, Veliaj nuk la pa shigjetuar aleancën Berisha-Meta.

“Kjo është fyerje e madhe o shokë, o vëllezër, o motra! Kjo është për të të fyer inteligjencën dhe të përdoresh si mish për top për hallin që ka Ilir Meta për rublat ruse, e për hallin që ka Sali Berisha me Amerikën. Ne nuk jemi këtu për të zgjidhur hallet e tyre, por për të zgjidh hallet e Rrogozhinës”.

Sipas Veliajt në sondazhet e realizuara, Partia Socialiste rezulton fituese në zgjedhjet e 14 Majit në të pesta bashkitë e Qarkut të Tiranës.

Tv Klan