Partia Socialiste ka çelur zyrtarisht edhe fushatën e saj elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit. Mes ovacioneve dhe duartrokitjeve u prezantua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili garon në këto zgjedhje për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës si një rikonfirmim për transformimin e shpejtë që ka pësuar kryeqyteti në këto katër vite.

“Sot është 1 Qershori, dita e fëmijëve. Një kujtesë që Partia Socialiste është e vetmja parti që në çdo vend që ka qeverisur, në çdo vend ku ka pasur diçka në dorë, nuk ka menduar për zgjedhjet e ardhshme, por ka menduar për gjeneratën e ardhshme. Edhe sot po takohemi në një hapësirë që është për të rinjtë dhe për fëmijët. Mbaj mend ditën e parë në Bashkinë e Tiranës, ditën e parë përpara katër vitesh. Bashkisë së Tiranës i kishte ngecur ora, nuk punonte sahati 4 vjet. Pas katër vitesh Tiranës dhe gjithë Shqipërisë i ka ardhur ora, por SHQUP-it i ka ngelur ora akoma”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se opozitës i ka ngelur ende sahati, ndërsa shtoi se në datën 30 qershor duhet të fitojë Shqipëria, duhet të fitojë Tirana.

“Ne nuk mund t’u themi fëmijëve tanë se Shqipëria nuk do të qeveriset, se Shqipëria nuk do të ketë zgjedhje, se Shqipëria do të bllokohet sepse një grup fëmijësh të parritur nuk janë gati të vijnë në betejë. Kjo është betejë për fëmijët tanë, nuk është betejë për partinë. Ndaj miqtë e mi në datën 30 Qershor duhet të fitojë Shqipëria, duhet të fitojë Tirana, duhet të fitojë Shkodra, duhet të fitojë Tropoja, duhet të fitojë Kamza dhe fëmijët e Shqipërisë kudo që janë”, deklaroi Veliaj.

Ai shtoi më tej se Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës ka bërë progresin më të madh në vitet e tranzicionit dhe se në datën 30 qershor , shqiptarët e kanë vetë në dorë që t’i japin fund tranzicionit dhe Shqipëria të jetë një vend dinjitoz për vete dhe për fëmijët.

“Gjatë gjithë këtyre viteve jemi munduar ku ka pasur nevojë, ku ka pasur një mundësi, ku ka pasur diçka për të ndrequr që të jemi prezent, por unë jam i bindur që me Edi Ramën dhe të gjithë kryetarët e bashkive, atë që kemi bërë në Tiranë do ta bëjmë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Miqtë e mi, sot me ne nuk janë vetëm socialistët, sot me ne janë bashkuar qytetarë në të gjithë territorin e Shqipërisë, të cilët besojnë që vetëm PSSH, mund ta qeverisë çdo bashki me të njëjtin dinjitet që qeverisim ne në çdo familje tonën. Për të gjithë ata, për të cilët fëmija është më i rëndësishëm se partia, për të gjithë ata që nuk duan të kthehen në ’97 dhe ’98, për të gjithë ata që e duan realisht Shqipërinë si gjithë Europa, ka vetëm një zgjidhje: Partia Socialiste e Shqipërisë dhe kandidatët e saj”, deklaroi Veliaj./tvklan.al