Kryebashkiaku Veliaj garantoi qytetarët e Tiranës së në 30 Qershor nuk do të lejojë bllokimin e zgjedhjeve.

“S’ka një ligj kundër debilizimit. Kështu që për sa kohë që ka kryetar bashkie që thonë “Po të kisha Molotov do i bija” dhe për sa kohë që ka policë bashkiakë që kryejnë akte dhune, debilizimi s’është i paligjshëm. Por prekja e zgjedhësve, prekja e kutive të votimit, është e paligjshme. Ne i kemi marrë të gjitha masat dhe në Tiranë ju garantoj që do të jetë një festë e demokracisë”.

Veliaj kujtoi penalitetet me të cilat do të përballen ata që do të tentojnë të prishin zgjedhjet.

“Nëse ka njerëz në komunitetin tuaj, te kafja poshtë pallatit, që vazhdojnë me këtë frymë, duhet të bëjmë një bisedë të qetë, siç flasim në shtëpi, dhe t’u themi: je gati të bësh 1 deri në 5 vite burg? Sot kalon Kodi Penal në Parlament, nëse je gati që për banjën e 13 të maces së Ilirit në Lalz të bësh burg, ta shtoftë zoti inatin, shko bëj burg, se nuk qenke i denjë të qëndrosh mes nesh. Pra, nuk është nevoja të zihemi me askënd, por vetëm t’i sqarojmë që Kodi Penal thotë se po të shkosh të sakrifikohesh për banjën e maces, je i lirë, nëse jeta jote vlen kaq dhe familja jote vlen kaq, do të bësh 1 deri në 5 vite burg, nëse dëmton ose pengon njerëzit që të shkojnë në zgjedhje”.

Në takimin me administratorët e zgjedhur, Kryebashkiaku Veliaj tha se në mandatin tjetër do të katëfishohet fondi i komunitetit, për t’i sjellë një tjetër pamje lagjeve të Tiranës.

Tv Klan