“Basha u bën karshillëk qytetarëve”

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj është ndalur këtë të martë në një bashkëbisedim me banorët  e Shëngjergjit.

“Më pyesin njerëzit shpesh: ‘Pse shkon në Shëngjergj për 600-700 vota?’ Pikërisht kjo është diferenca mes partisë tonë dhe të tjerëve. Ata i shohin njerëzit si numra dhe kujtohen vetëm kur vjen vakti i zgjedhjeve. Për ne njerëzit janë familje”.

Veliaj ironizoi fushatën e Partisë Demokratike, e cila, sipas tij, iu bën karshillëk njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, duke promovuar modelin e makinave të shtrenjta.

“Shikoj palën tjetër, xhiro gomat, hip mbi makina, akoma në vitet ‘90 duke u rënë borive. Por sot nuk është kush xhiron më shumë rrotat, po kush xhiron më shumë ekonominë dhe kush prodhon më shumë mirëqenie për njerëzit. Nuk është kush bërtet më shumë, kush vjen me “Jeep”, apo “Bentley”, me “Range Rover”, “Porsche” e “Lamborghini”, një xhiro e Lulit është sa gjithë ekonomia e Shëngjergjit, por kush bën më shumë shkolla, kush ndihmon me një shtëpi e kush ndihmon me ushqime në këto ditë të vështira.”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës zhvilloi një takim edhe me banorët e qytetit të Kavajës, ku theksoi rëndësinë që ka vota e 25 prillit për të çuar përpara projektet e nisura.

Tv Klan