“Kandidatët e opozitës, riciklim i figurave të vjetra”

Kandidatet e PD dhe LSI në zgjedhjet e 25 Prillit janë vënë në fokus të deklaratave të Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, njëherazi dhe drejtues politik i Partisë Socialiste në këtë qark. Në takimin me banorët e Njësisë 7, Veliaj tha se opozita po sjell në politikë të diskredituarit e sistemit të drejtësisë.

“LSI ka sjellë Rimin nga Bulqiza, me vëllain e targave. Dosja e tyre në SPAK është më e madhe se sa gjatësia ime. Thonë t’i kthejmë kohët siç ishin. Ende te niveli i vjedhjes së targave jemi ne? Kaq shumë e fyejnë Tiranën kur sjellin këta njerëz. Po kur sjellin Tit Fushën? Presidenti Meta është në siklet të madh, sepse që të zhbëhet reforma në drejtësi duhen vota në Parlament dhe të gjithë këtyre që ranë nga vakti, që nuk justifikuan dot pasurinë, u thotë merrni ndonjë mandat në Parlament që t’ia kthejmë reformën në drejtësi mbrapsht, Edi Ramës, Etildës dhe gjithë skuadrës tonë. Kjo është fyerja më e madhe që ata i bëjnë Tiranës, kur sjellin këta lloj personazhesh”.

Veliaj tha se në 25 Prill shqiptarët do t’u besojnë socialistëve.

“Kur ke forcë morale, mund të kesh edhe forcë numerike. Si shpjegohet që vijnë vetëm nga PD, LSI dhe PDIU tek ne dhe asnjë nga ne nuk shkon tek ata?! Do të thotë që i gjithë vektori po shkon atje ku është e mira, atje ku është qendra e rëndesës, ku është graviteti moral i shoqërisë, dhe graviteti moral i shoqërisë tonë është Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Veliaj e akuzoi opozitën se po riciklon figurat e vjetra të politikës.

Tv Klan