Nderon me certifikata mirënjohje “Emergency Response Albania”

Bashkia e Tiranës është duke identifikuar zonat ku pritet të ndërtohen banesat për të prekurit nga tërmeti në fshat. Kryebashkiaku Veliaj tha se po punohet në kuadër të projektit të rindërtimit, me qëllim akomodimin e të prekurve në shtëpi të reja.

“Kemi identifikuar një tokë këtu në Pezë, po ashtu një tjetër terren në Ndroq, janë toka publike ose që duan pak shpronësim, që kanë nevojë për një sistemim nga bashkia për ujë, kanalizime dhe energji elektrike. Për zona shumë të largëta, Kërçukja në Ndroq apo Gjysulkonja, ku ka pak familje e ku fëmijët ndjekin shkolla kolektive, nuk do të ribëjmë shtëpitë aty, por do t’i sjellim më afër shërbimeve. Por ata mund të vazhdojnë ta mbajnë tokën e tyre, ullinjtë, bagëtinë”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Riorganizim të banesave pritet të ketë edhe në zonat e tjera në kryeqytet, ku janë parashikuar të ndërtohen 9 lagje.

“Rindërtimi nuk është vetëm llaç e tulla, por është edhe emancipim për një mundësi të re, për të krijuar komunitete të reja si në Ndroq e Pezë. Kjo vlen edhe për lagjet e reja që do të bëjmë në Kombinat apo në zona të tjera si “5 Maji” apo Uzina e Autotraktorëve”, nënvizoi Veliaj.

Këto deklarata Veliaj i bëri gjatë vlerësimit nga Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Zvicrës me certifikatën e mirënjohjes të rinjtë e “Emergency Response Albania” për ndihmën e dhënë pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Tv Klan