Arkitektët dhe urbanistët janë njohur me projektet e zhvillimit urban që Kryebashkiaku Veliaj planifikon të verë në jetë 4 vitet e ardhshme. Disa janë projekte të reja, e të tjera janë vijimësi e atyre të nisura në mandatin e parë, siç është ngritja e Teatrit të ri Kombëtar.

“Kam vendosur të mos humbas më kohë dhe do të thërras komisionin e ngritur me VKM, që këtë javë dhe do të shfrytëzoj gjithë kohën e verës për gjithë diskutimet formale të komisionit, për të filluar implementimin e Teatrit”.

Tirana do të ketë dhe një bibliotekë të re kombëtare, sipas planit të Veliajt.

“Biblioteka aktuale kombëtare që është atashuar me Operën dhe Pallatin e Kulturës është më shumë një magazinë librash, nuk ka më kapacitet, mund të jetë fare mirë një bibliotekë qytetase por nuk i ka sot hapësirat. Nga historia e fundit e përmbytjes apo histori të tjera të nevojës së magazinimit kemi parë që nuk i plotëson më kushtet. Kështu bashkë me kryeministrin kemi marrë vendim për një Bibliotekë të re Kombëtare”.

Stadiumi “Selman Stërmasi” do të jetë një tjetër projekt, që sipas Veliajt, stadiumi “Arena Kombëtare” do të jetë shembulli ku do të bazohen. Pas miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, Veliaj bëri të ditur se tashmë Bashkia e Tiranës do të kalojë në implementimin e projektit për poliqendrat, ndërsa në 4 vite do të mbillen dhe 1 milionë pemë si pjesë e pyllit orbital.

Tv Klan