“E ndërtojmë me kredi nga bankat ndërkombëtare”

Një ditë pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka prezantuar projektin e Teatrit të ri, që mban firmën e arkitektit Bjarke Ingels.

Duke theksuar edhe njëherë se godinat e vjetra ishin të amortizuara, ai tha se Teatri i ri do të jetë 6-fishi i të vjetrit, i cili kishte në hipotekë vetëm 1250 m2.

“Bëhet fjalë për një Teatër 8 mijë e 930 metra katrorë. Në hipotekë i vjetri kishte vetëm 1250 m2. 3 fish krahasuar me ekzistuesin, por 6-fish nga ai që ishte. Për pjesën e zonës artistike do kemi 4 auditorë. Skena do të jetë 630 m2 skena më e madhja në Shqipëri. Kurse pjesa e qëndrimit të aktorëve, 520 m2”.

Shembjen e teatrit të vjetër e konsideroi të vështirë, ndërsa u ktheu përgjigje edhe atyre që kanë sulmuar për vendimin.  

“Nuk është e lehtë të zgjohesh në mëngjes e të gjesh 1000 mallkime se si duhet të të vdesë djali, e kuptoj këtë por gjithashtu kuptoj edhe peshën e madhe historike që ne kemi dhe këto mallkime e sharje të këtij niveli kaq banal konfirmojnë atë që unë e kam ditur prej kohësh: që këta nuk janë material teatri, njerëz që përfshihen në këtë gjuhë të rrugaçtë në këtë fjalor të ndyrë qartazi nuk kanë shkelur kurrë në teatër, kështu që e kuptoj këtë e kuptoj edhe politizimin. Por duhej marrë, nuk e morën ata që ishin para meje. Është e lehtë të mos bësh asgjë, por e vështirë të hysh në histori”.

Nuk la pa iu përgjigjur as disa prej shqetësimeve që lindën menjëherë pas rrëzimit të godinave të Teatrit Kombëtar.  

“Një nga pyetjet që është ngritur është pse nuk u rikonstruktua? Teatri nuk mund të rikontruktohej në mënyrë bashkëkohore. Me shtresat që kishte pasur ndër vite nuk kishte ku të shkonte më tej, ku të zgjerohej. Nuk ekziston më teknologjia e tallashit, nuk mund të rikonstruktohej me teknologjinë e sotme ajo gjë aq primitive dhe e degraduar. Ka një pyetje e cila më është bërë shpesh, pse u prish natën? Ne gjykuam që do të ishte e rrezikshme për artistët, nëse do të prishej në çdo moment tjetër të ditës. Për të respektuar vendimin e shumicës, zgjodhëm momentin kur mund të respektohej me riskun më të vogël. Përse nuk u organizua një referendum? Nuk kërkoi kurrë njëri referendum, nuk e bën kurrë një kërkesë”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet me kredi nga bankat ndërkombëtare.

“Do i bëjmë me lekët e bankës. Do marrim nga Banka Europiane e Investimeve, marrim kredi nga Abu Dhabi për lumin e Tiranës, nga BERZH për filtrimin e ujit. Pra qeveria i jep Bashkisë garanci sovrane, ne këtë e marrim nga bankat. Se pastaj thonë se jemi me oligarkët apo e bëjmë me oligarkët. Ne kemi 10-fishuar taksën e ndërtimit. Dhe me këto do lajmë edhe kredinë. Në këto 3 muaj do punojmë me dy ekipe, detajimi i projektit dhe negociatorët për kreditë”.

Kryebashkiaku njoftoi edhe marrjen e dy vendimeve, si zerimi i taksës së hapësirës publike për bizneset për muajt Maj-Qershor dhe heqjen e taksës për hotelet në Tiranë, deri më 15 Shtator.

Tv Klan