“Ne mburremi me arritjet e Tiranës”, ishin fjalët e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin që zhvilloi dje pasdite me kryebashkiakun Erion Veliaj. Kreu i qeverisë kosovare vlerësoi zhvillimin dhe ndryshimet që po ndodhin në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve dhe theksoi se puna e kryer prej Bashkisë së Tiranës është një model që duhet t’u shërbejë edhe të tjerëve.

Në takimin që Veliaj zhvilloi dje me Kryeministrin Haradinaj u bisedua mbi rritjen e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve mes pushtetit vendor të të dyja vendeve, si dhe sfidat integruese me të cilat përballen Shqipëria dhe Kosova. Kryeministri kosovar falenderoi Veliajn për mikpritjen dhe e përgëzoi atë për punën e mirë që po bën në Tiranë.

“Për mua është një mundësi e mirë, jo vetëm me i pa ndryshimet që kanë ndodh në Tiranë, atë e shohim në qytet e në krejt bashkinë, por edhe për të dëgjuar për mënyrën se si kanë ndodhur këto ndryshme. Unë mësoj çdo ditë, mësoj nga punët e mira që i shoh. E përgëzova për këto arritje në Bashkinë e Tiranës sepse janë arritje të të gjithë shqiptarëve, është kryeqytetit ynë. Kur vijmë në Tiranë mburremi kur shohim arritje dhe i krahasojmë ato me kryeqytetet e vendeve të tjera”,

tha Kryeministri i Kosovës.

Kryebashkiaku Veliaj pasi i uroi mirëseardhjen kryeministrit Haradinaj dhe ekipit të tij, theksoi se bashkitë e të dyja vendeve kanë shumë për të mësuar nga eksperienca e njëra-tjetrës, për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre. “Është gjithmonë kënaqësi sa herë ju kemi në Tiranë dhe fuqizimi i raportit mes autoriteteve lokale është një nga temat kryesore për të cilat folëm sot. Ne nuk kemi nevojë të shpikim rrotën, por të mësojmë prej çfarë kanë bërë mirë komunat në Kosovë dhe gjithashtu modestisht të japim disa eksperienca tonat”, tha Veliaj.

Ai shtoi se një nga gjërat e mira që kanë ndodhur në Kosovë dhe që do shërbejë edhe si model për Shqipërinë, është miratimi i ligjit për Prishtinën. “

Kemi pasur gatishmërinë e kryeministrit Rama që Tirana, ashtu si Prishtina, duke qenë se i shërben më shumë qytetarëve se sa vetëm rezidentëve, pra atyre që vijnë çdo ditë në qytet për punësim, për arsim, për spitalet, për hipotekat, për shkollat, për gjykatat, do të thotë që ka nevojë për më shumë kompetenca, e sigurisht edhe më shumë financa. Kështu që, do të mbështetemi në projektligjin dhe në ligjin, sot të miratuar të qeverisë ‘Haradinaj’, si një model se çfarë mund të bëjmë edhe me një ligj special për Tiranën, si shumica e kryeqyteteve evropiane”

, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi se zhvillimi i qyteteve ka një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në sfidat integruese me të cilat përballen sot Shqipëria dhe Kosova. Ndaj, ai theksoi se është e pafalshme për të dyja shtetet që të humbasin kohë me debate që frenojnë këto procese.

“Ne ndajmë sfida të përbashkëta; sfida kryesore është përmirësimi i jetës së qyteteve, për t’i çuar ato në një standard evropian. Bashkë me mikun tim e shohim integrimin evropian si destinacion brenda nesh. Nëse Tirana, Prishtina, Suhareka, Durrësi, Pogradeci, Gjakova janë qytete më evropiane, atëherë bashkësia e gjithë këtyre qyteteve prodhon një realitet modern. Jam shumë i inkurajuar nga i gjithë progresi që është bërë. Jemi përpara sfidave: sfida jonë për hapjen e negociatave, sfida e Kosovës për liberalizimin e vizave. Ama, besoj që secili ka futur marshin e pestë me një shpejtësi dhe një cilësi të paprecedentë, nga dëshira për të rikuperuar kohën e humbur. Është e pafalshme që shqiptaria të humbasë më shumë kohë

”, u shpreh ai.

Kryeministri i Kosovës nga ana e tij shprehu vullnetin e qeverisë së tij për të rritur më tej bashkëpunimin në çështje konkrete, të cilat sjellin një përmirësim të jetës së qytetarëve shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri.

/tvklan.al