“Partitë e opozitës tradhtuan ndjekësit e tyre”

Në takimin që pati me socialistët në Njësinë 4 në kryeqytet, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se i ishin bashkuar kësaj force edhe ish-anëtarë të PD dhe LSI.

Veliaj tha se opozita i tradhtoi ndjekësit e saj duke lënë mandatet.

“Dua të falenderoj të gjithë ata që na janë bashkuar nga PD sot, dhe të gjithë ata që e kanë kuptuar se për sa kohë ju kemi shërbyer me dinjitet, kur ishit përballë, tani që iu bashkuat familjes tonë do t’ju shërbejmë edhe më shumë. Për të gjithë ata që na janë bashkuar nga LSI-ja, nga PDIU-ja, mirëseerdhët në familjen që nuk ju tradhton kurrë! Në një moment të jetës së tyre besuan se këto parti ishin prej vërteti, por kur i panë që tradhtuan çdokënd, kur e panë që ua përdorën fëmijët si mish për top për të kapur makina, kur e panë që ua përdorën burrat mish për top për të kapur vila, kur e panë që lanë Parlamentin, lanë Bashkitë, lanë zgjedhjet, pra lanë punën për të cilin ishin votuar, votuesit e tyre bënë zgjedhjen e duhur dhe erdhën në familjen tonë”.

Sipas Veliajt, PS është forca politike që ka ende shumë për të bërë.

Saliu, i cili mbajti peng gjyshërit tanë, prindërit tanë, moshën tonë dhe tani edhe fëmijët tanë që sapo kanë lindur, nuk mund të kthehet për herë të tretë në Shqipëri. Diferenca mes nesh dhe atyre nuk është sa gjëra kemi bërë dhe sa ata kanë shkatërruar, por sa na hanë duart që të bëjmë, sa projekte kemi, sa ëndrra kemi akoma, sa ide kemi akoma dhe sa plane kemi akoma. Kjo është diferenca, në ambicien tonë të lartë që kemi. Unë besoj fort që, në qoftë se ne me këtë frymë që kemi ecur deri më tani vazhdojmë dhe mandatin e tretë, qielli është limiti se çfarë mund të bëjmë për këtë vend”, tha Veliaj.

Veliaj u shperh i bindur në fitoren e një mandati të tretë të socialistëve në zgjedhjet e 25 Prillit.

Tv Klan