Këshilli Bashkiak miratoi sot një sërë vendimesh të rëndësishme për kujdesin social, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës në Bashkinë e Tiranës. Në fjalën e mbajtur para anëtarëve të Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se qytetarët e kanë të qartë se falë punës është bërë e mundur që Tirana të hyjë në rrugën e transformimit, ndërsa njoftoi se shumë projekte kanë përfunduar dhe shumë të tjera janë në realizim e sipër. “Si kurrë më parë, gjatë kësaj kohe është bërë e qartë se në këtë qytet ka dy palë: njëra që punon dhe tjetra që ka zgjedhur të merret me fjalë. Por, në fund janë qytetarët ata që bëjnë dallimin dhe nuk kam asnjë lloj dyshimi se këtë dallim do ta bëjnë nisur nga punët e jo nga fjalët”, u shpreh Veliaj.

Duke prezantuar nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës në një muaj, Veliaj tha se ka vijuar me të njëjtin ritëm transformimi i transportit publik, çka ka bërë që më shumë se gjysma e qytetarëve të zgjedhin pikërisht këtë lloj transporti për udhëtuar. “

Riorganizimi i itinerareve të linjave, shtimi i flotës nga 200 në 290 autobusë, ku 50% janë autobusë fizarmonikë të standardeve më të mira, vendosja e kontrolleve të standardit të shërbimit përmes shtimit të inspektimeve, por edhe përmes teknologjisë GPS, e kanë kthyer sot transportin publik në një alternativë reale për qytetarët e Tiranës

”, tha ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se gjatë kësaj kohe u vu në funksionim parkimi me SMS, që ka thjeshtuar shumë mënyrën e pagesës, duke u kursyer kohë qytetarëve, por edhe thjeshtuar e bërë më efikase punën e Tirana Parking. “

Çdo qytetar mjafton të çojë një SMS në numrin 50500 me targën e automjetit për të rezervuar vendparkimin. Ndërkohë, 10 minuta përpara përfundimit të kohës, qytetarit i vjen një tjetër sms për ta njoftuar e për t’i dhënë mundësinë të zgjasë kohën e parkimit për të shmangur penalizimet

”, tha ai, duke shtuar se të gjitha të ardhurat nga parkimi me SMS shkojnë për gjelbërimin e Tiranës, veçanërisht për realizimin e projektit të Pyllit Orbital që do ta rrethojë Tiranën me një brez të gjelbër me 2 milionë pemë.

Veliaj tha se është bërë një punë e madhe edhe nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, ku vetëm gjatë muajit mars u mbollën mbi 2000 pemë, çka shënon një rekord për Tiranën. Mbjelljet e pemëve në Liqenin e Farkës po i japin formë parkut, po ashtu është vijuar me zëvendësimin e pemëve të dëmtuara në Parkun e Liqenit, mbjelljet në Sheshin Skënderbej dhe në Bulevardin e Ri të Tiranës. Kryebashkiaku shtoi se së shpejti do të hapet edhe segmenti i parë i bulevardit, i cili gjithashtu do t’i japë Tiranës një tjetër hapësirë të gjelbëruar. Një tjetër nismë e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës gjatë këtij muaji ka qenë dhe “Kafe me Gjyshin”, ku mbi 100 bare e lokale iu bashkuan kësaj nisme, duke ofruar kafenë me 20 lekë për gjyshërit dhe gjyshet e Tiranës.

Ai theksoi se ashtu si gjatë vitit 2016, Bashkia e Tiranës ka vazhduar punën për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë për të rinjtë e fëmijët. “

Vetëm gjatë muajit mars, kryeqytetit i janë shtuar dy kënde të reja lojërash dhe kënde sportive te “Ali Demi” dhe ish Fusha e Aviacionit, ndërkohë që në Parkun e Liqenit kemi sot një kënd të ri force dhe një kompleks të shkëlqyer multisportiv në shërbim të komunitetit 24 orë 7 ditë në javë, atje ku deri dje ishte thjesht një djerrinë”, shtoi Veliaj. Duke përmendur hapjen e Pazarit të Ri, ai theksoi se nuk ka dëshmi më të qartë se gjërat e mira bëhen duke punuar. “Janë plot 308 biznese që kanë filluar punën ose janë duke bërë investimet e tyre, të cilat në total punësojnë 1007 vetë. Ndërkohë që vlera e pronës në atë zonë është rritur që tani me 40 deri në 50% dhe përfitimet nga ky investim po fillojnë të shtrihen në një zonë shumë më të gjerë sesa hapësira e njohur si Pazari i Ri”

, u shpreh ai.

Veliaj u ndal edhe te vendimi i Bashkisë së Tiranës për fillimin e procesit për ndërtimin e 17 shkollave të reja, krahas 3 të tjerave që janë duke u ndërtuar, që do t’i japin fund njëherë e mirë mësimit me dy turne në kryeqytet. “Përpara se të ishte një zotim i yni, ky ishte edhe zotim i paraardhësit tim, por të gjithë e dimë sesi i vajti halli, jo vetëm këtij zotimi, por edhe shumë e shumë gjërave të tjera që u premtuan nga ai. Sepse problemi është që mbajtja e zotimeve bëhet e pamundur kur zgjedh t’ia fusësh gjumit për 4 vjet apo të merresh vetëm me fjalë. Për të zgjidhur hallet e problemet e qytetarëve duhet shumë punë dhe vetëm punë, por Lulin nuk e keni për punë”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Tirana ka sot nevojë për shumë punë për t’u kthyer në qytetin që duam të gjithë. “

Ky qytet kërkon punë dhe pret që të punojmë. Prandaj, ftesa ime për të gjithë është që të bashkojmë forcat, të bashkëpunojmë dhe të mos harrojmë për asnjë moment që qytetarët e Tiranës dinë të gjykojnë e të shohin përtej retorikës e deklaratave. Të paktën në këtë Këshill le të mos humbasim kohë kot me beteja politike, që as nuk ndërtojnë shkolla, as nuk mbjellin pemë, as nuk hapin kantiere të reja e as sjellin ndonjë përfitim për qytetarët që na kanë votuar”

, tha ai.

Duke u ndalur në nismat e miratuara nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, Veliaj sqaroi se vendimi për “

Një ndryshim të pjesshëm të vendimit nr. 11, datë 05.04.2012, për “Ristrukturimin e qendrave sociale ‘Të qëndrojmë së bashku’, ‘Qendrës komunitare multidisiplinare për fëmijët dhe familjet në nevojë’ dhe ‘Qendrës komunitare për të moshuarit’, miratimin e strukturave të tyre organizative, si dhe rishpërndarjet në buxhetin e Bashkisë Tiranë për vitin 12

”, përmirëson kuotën e nivelit të shpenzimeve për ushqimet në institucionet publike komunitare të përkujdesit shoqëror duke e rritur kuotën ditore në 160 lekë.

Një tjetër vendim i miratuar nga Këshilli ishte ai për “Krijimin e Agjencisë për Administrimin e Tregjeve të Bashkisë Tiranë” (AAT) si institucion në varësi të Bashkisë Tiranë për administrimin e menaxhimin e shërbimit të tregjeve publike. Nëpërmjet tij, synohet ofrimi i një modeli të ri me standarde duke ofruar edhe të gjitha shërbimet higjieno-sanitare. Këshilli Bashkiak i Tiranës i hapi dritën jeshile edhe likuidimit të borxhit të Klubit të Futbollit Tirana. Gjithashtu, miratoi edhe propozimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për ngritjen e një thertoreje publike në kryeqytet. “Pamundësia  e kontrollit tekniko veterinar të mishit të therur ndikon drejtpërdrejt te siguria e shëndetit publik. Do të duhet që veterinerët tanë të kthehen në policë të mishit për t’i rënë mbrapa çdo kujt që shet mish në cepa rrugësh. Jemi në një moment që nuk mund të pranojmë më zgjidhje të ndërmjetme. Siç kemi bërë vetë kompani publike pastrimi, siç kemi bërë vetë kompani publike parkimi, mund të bëjmë një agjenci publike që menaxhon edhe këtë problem të rëndë të veterinarisë, për të ngritur një thertore publike të kontrolluar dhe të monitoruar, që do të ofrojë standardet më të larta për qytetarët. I propozoj këshillit për të hapur në Tiranë këtë therore me cikël të mbyllur”, tha Veliaj.

Këshilli miratoi edhe vendimin për t’i hapur rrugë shlyerjes së borxheve të klubit të futbollit “Tirana”. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se ky është edhe një angazhim që Bashkia e ka marrë përpara tifozëve e simpatizantëve të këtij klubi në datë 25 janar të këtij viti. “

Nuk u shmangemi përgjegjësive tona dhe i mbajmë premtimet tona. Ashtu siç kemi shlyer 60% të borxheve për punë publike që trashëguam, ashtu do t’i dalim zot edhe këtyre detyrimeve të trashëguara, që nuk i krijuam ne, por që i kemi peshqesh nga keqmenaxhimi dhe abuzimet e atyre që sot janë në çadër

”, theksoi Veliaj. Gjithashtu, në mbledhje u miratua edhe fondi për pagesën e bonusit për të porsalindurit. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky gjest i bukur mirëseardhje për të gjithë qytetarët më të vegjël që i bashkohen çdo ditë Tiranës, tregon se ky është një qytet që mendon edhe për ta.

Këshilli Bashkiak miratoi vendimin për “

Miratimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2018 – 2020”, si dhe vendimet për ndryshimin niveleve të pagave për punonjësit e Bashkisë Tiranë dhe drejtorive në varësi të saj, si dhe për punonjësit e Njësive Administrative të kryeqytetit. Veliaj sqaroi se këto vendime reflektojnë vendimin për rritjen e pagave të marrë nga Qeveria dhe prekin të gjitha institucionet e Bashkisë së Tiranës, ndërsa theksoi se kjo është rritja më e madhe e pagave që është bërë ndonjëherë për punonjësit e Bashkisë së Tiranës. “Bashkia e Tiranës bëhet bashkia e parë që i përgjigjet apelit të qeverisë për të rritur pagat për punonjësit e vet dhe për të gjithë ata që punojnë në sektorin publik. Kjo është rritja më e madhe e rrogave e viteve të fundit, por ajo që duhet theksuar është se jo të gjithë punonjësit përfitojnë në mënyrë të barabartë nga kjo rritje

”, tha Veliaj.

Por ai shtoi se nga ky vendim përfitojnë të gjitha pagat e niveleve të ulëta dhe të mesme, ndërsa theksoi se për atë vetë si kryetar bashkie vendimi nuk parashikon rritje. Të tjera vendime të miratuara në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak ishin edhe vendimi për zhvillimin e Projektit ‘Identifikimi, dizenjimi dhe përzgjedhja e produktit turistik’; Dhënia e ndihmës financiare për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e rrëshqitjes së tokës, si dhe nga zjarri për disa familje që banojnë në territorin nën juridiksionin Bashkisë Tiranës. Një tjetër vendim i rëndësishëm i miratuar nga Këshilli ishte edhe “Trajtimi me Bonus Strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”./tvklan.al