“Qytetarët vendosën me referendum më 30 Qershor”

Një ditë përpara betimit për mandatin e dytë në krye të Bashkisë së Tiranës, Kryebashkiaku Erion Veliaj tregohet i prerë për çështjen e Teatrit të ri Kombëtar. Ai thotë se e respekton nostalgjinë, por projektet e zhvillimit nuk do të ndalen. 

“Unë besoj se e ardhmja iu përket njerëzve me vizion, që arrijnë ta shohin këtë qytet dhe këtë vend pas 10, 20 dhe 30 vitesh, jo ata që u ka ngelur koka pas. Mund të ketë akoma njerëz që kanë nostalgji për gjyqet e komunizmit dhe për dënimet me varje që jepeshin në teatër. Nostalgjitë do t’i respektojmë, do të gjejmë një mënyrë për t’i akomoduar edhe tek Teatri, si te stadiumi i ri, fasada e të cilit është përqafuar në projektin e ri. Por me gjithë respektin për nostalgjinë, me gjithë durimin për nostalgjinë dhe tolerancën ndaj gjithollogëve, Tirana nuk ndalet dhe jam i vendosur që çdo projekt që do miratojmë sot e në vijim t’i shkojmë deri në fund”.

Veliaj thotë se qytetarët e dhanë përgjigjen për Teatrin më 30 Qershor, të cilin e quan një referendum. Një përgjigje i ktheu edhe Presidentit të Republikës.

“Vendet demokratike funksionojnë me zgjedhje. Ti nuk mund të jesh edhe aktor të thuash të ruajmë tallashin, edhe aktivist politik të thuash edhe unë do bllokoj zgjedhjet, edhe militant i rrugës të thuash Rama ik dhe pastaj nuk vjen në asnjë garë. Unë aty isha në 30 qershor, ata që më thanë do e shohësh nuk erdhën. Ata që të thonë do e shohësh, ke për ta parë ti, ta tregoj unë ty, dhe nuk vijnë në betejë, u ikën e drejta të flasin për të ardhmen e qytetit. I dëgjoj këta që flasin si ekspertë për teatrin kur thonë: “Unë vërtet jam themelues i kësaj partie, por kjo s’është fare politike”. Nëse nuk është politike çfarë është?”.

Gjatë prezantimit të punimeve të disa studenteve të Harvardit me fokus shtimin e hapësirave për fëmijët, Veliaj tha se tensionet e fundit për shembjen e Teatrit janë histeri kolektive, pasi për të mbërritur në këtë fazë duhet disa muaj që nga hapja për tenderin.

Tv Klan