“Nuk është shkurtuar”.PD: Cënohet e djathta historike

Rruga që mban emrin e ish-Presidentit Ibrahim Rugova në Tiranë nuk është shkurtuar. Teksa u ktheu përgjigje akuzave për këtë rrugë, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se rruga ‘Ibrahim Rugova’ është zgjatur deri tek diga e liqenit.

“Është fakt se sot rruga ‘Ibrahim Rugova’, jo vetëm që nuk është shkurtuar, por madje është zgjatur, sepse kemi hapur rrugën nga sheshi përballë ish-Gardës deri te Diga e Liqenit. Pra, është fakt se rruga ‘Ibrahim Rugova’ është zgjatur dhe nuk është shkurtuar. Për të gjitha këto arsye është shumë e rëndësishme t’i ndajmë këto gjëra e të mos krijojmë histeri nga hiçi. Nuk e ka shkurtuar njeri rrugën dhe as ka ndryshuar emërtimi. Rruga ‘Ibrahim Rugova’ është zgjatur edhe përtej Gardës; pra, vërtet fillon tek Ura e Bllokut, por është zgjatur deri te Diga e Liqenit”.

Veliaj thotë se rruga ‘4 Shkurti’ e cila niste nga shallvaret deri tek Banka e Shqipërisë , është saktësuar si emërtim duke u quajtur “Dëshmorët e 4 Shkurtit”

“Më e rëndësishme është të kuptojmë edhe faktin e dytë: Rruga nga ‘Shallvaret’ deri te ‘Banka e Shqipërisë’ ka qenë gjithmonë rruga ‘4 Shkurti’, pra thjesht është saktësuar emërtimi, është bërë rruga ‘Dëshmorët e 4 Shkurtit’, për 86 qytetarët e Tiranës që u masakruan nga kolaboracionistët dhe forcat pro-naziste dhe pro-fashiste në Tiranë, në 4 Shkurt 1944, ndërkohë që rruga tjetër, e cila ka qenë ‘4 Shkurti’, është saktësuar ‘Dëshmorët e 4 Shkurtit”.

Partia Demokratike në reagimin e saj e ka quajtur si cënim të së djathtës historike ndërhyrjen në rrugën ‘Ibrahim Rugova’.

“Ky akt jo vetëm cënon të djathtën historike dhe moderne, të këtej dhe andej kufirit , por provokon në mënyrë të hapur, pak ditë nga përvjetori i 15-të i Pavarësisë së Kosovës, për të cilën Ibrahim Rugova dha një kontribut vendimtar”, deklaroi Floriana Garo.

Por për kryebashkiakun Erion Veliaj i gjithë debati është krijuar nga politikanë që duan të mbjellin helm në Shqipëri dhe Kosovë.

Tv Klan