Përfundon godina e re në “Qytetin Studenti”

Së shpejti nis puna për kampusin Universitar. Teksa inspektoi përfundimin e punimeve për rikosntruksionin e godinës 18 në Qytetin Studenti, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se prioritet mbetet përmirësimi i kushteve për ata që studiojnë në Tiranë.

“Duam që në kampus të transferojmë një pjesë të madhe të Fakultetit Juridik, duam të shtohet Fakulteti i Gjuhë-Letërsisë; duam të kemi një hapësirë të madhe për shkencat sociale, edhe me Bibliotekën, por edhe me shtesat e klasave që ata kanë pasur nevojë, ndaj dhe ne parashikojmë që me të mbyllur këtë projekt të konvikteve, do fillojmë konviktet e reja me GIZ, KFË e BE, dhe do vazhdojmë pastaj me pjesën e Kampusit. Imagjino, një prind i cili mund të jetë në Shkodër, në Tropojë, në Tepelenë apo në Këlcyrë, nis dritën e syrit, fëmijën e tij për në Tiranë… Mirë paragjykimi që vjen nga një pjesë e politikës, që thotë ‘jo po janë të ardhur, jo po konviktorë’, çka është një çmenduri të thuhet në vitin 2023”.

Veliaj përmendi disa nga lehtësimet që Bashkia e Tiranës ka bërë për studentët dhe shtoi se do vazhdojë t’i mbështesë ata gjatë viteve të studimit të tyre.

“Me Këshillin Bashkiak kemi vendosur që 50% të kostos së konvikteve e paguan bashkia. Ky është një premtim që mund të bëhet, mund të mbahet dhe e kemi mbajtur. Ndaj, parimi është: Të themi atë që vërtet do të bëjmë dhe jo të prodhojmë një histeri kolektive për gjëra që nuk del llogaria dhe që nuk i ka bërë askush tjetër. Për studentët, edhe këtë vit do të vazhdojmë me abonenë falas dhe me gjysmën e kostos së konviktit të paguar nga bashkia”.

Kryebashkiaku kërkoi nga banorët që kanë jetuar më parë në godinat studentore që të aplikojnë për bonusin e qerasë të paguar nga Bashkia e Tiranës.

Tv Klan