“Më shumë qendra sociale në Tiranë”

Në të gjitha qendrat sociale në kryeqytet është shtruar drekë me rastin e festës së Kurban Bajramit.  Vetë kryabashkiaku Veliaj zgjodhi të jetë pjese e shërbimit në një prej qendrave pranë ish-Nsharakut. Ai teksa uroi të moshuarit tha se qendra të tilla do të shtohen.

“Do bëjmë më shumë qendra të tilla sociale. Sot më vjen mirë që pavarësisht se tërmeti na prishi qendrën në Kombinat, jemi transferuar në ish-Nsharak. Dhe tani që po mbaron qendra në kombinat, është 3 herë më e madhe se ajo që kishim, do të thotë që ne kemi kapacitet për 3 herë më shumë të moshuar, gjyshër dhe gjyshe që t’i trajtomë me respekt”.

Veliaj u ndal tek mesazhi që duhet të marrim në të tilla festa.

“Sot na kërkohet të sakrifikojmë vetëm inatet e vogla, xhelozitë e vogla, të sakrifikojmë thashethemet. Nëse duam të bëhemi një komb i mirë që e ka gojën mjaltë, që i ka duart e arta, që i thotë tjetrit bravo i qoftë dhe jo t’i nxjerrim sytë njeri-tjetrit, atëherë kombi ynë do shkojë përpara”.

Kryabshkiaku theksoi se për një Tiranë që ecën përpara thirrja e sakrificës për vitin 2021, është që të sakrifikojmë egon, smirën, xhelozinë dhe stërkëmbshat.

Tv Klan