Kryebashkiaku Erion Veliaj shfrytëzoi përurimin e shkollës së “Kosova” për të rikthyer në vëmendje çështjen e Teatrit Kombëtar. Duke hequr një paralele me punimet e në këtë shkollë, Veliaj tha se standardi dhe cilësia janë një garanci se edhe godina e re e Teatrit të ri Kombëtar, do jetë një moderne.

“Nëse dikush do të na bashkohet për ditën e parë të shkollës dhe është skeptik se çfarë do të ndodhë me teatrin e ri, mjafton të krahasojë shkollën e vjetër “Kosova” me shkollën e re “Kosova”, për të hapur vizionin e tyre se çfarë potenciali ka, që në vend të një teatri të vjetër, të rrënuar, të kemi një teatër të ri. Besoj për të gjithë ata që kanë prekur me dorë dhe kanë parë punët në Tiranë, nuk mund të thonë dot mos ma prek atë, mos ma prek këtë. Gjërat ndryshojnë kur i prek me dorë, kur vë dorë, nuk ndryshojnë duke ruajtur karakatina të cilat s’kanë asnjë vlerë dhe gjithnjë e më shumë po e largojnë publikun nga institucionet, qofshin këto arsimore apo kulturore”.

Sipas kryebashkiakut Veliaj, shkolla “Kosova”, e cila do të  presë 400 nxënës, është ndërtuar  në një truall ku ishte përcaktuar të bëhej pallat.

“Kjo ishte një shkollë, e cila u prish në një mënyrë të paprecedentë. Bashkia e kaluar donte të ndërtonte pallat, por ne e kthyem në identitet, e bëmë sërish shkollë. Në fund të ditës nuk janë llafet e gam-gamet ajo që tregon çfarë vendimesh kemi marrë, por projektet që ngelen në fund. Projektet tregojnë se për çfarë parimesh qëndrojmë; nëse qëndrojmë për një qytet ku s’u ndërtua një shkollë, një kopsht e një çerdhe, apo nëse qëndrojmë për një qytet që do të trashëgojë nga kjo administratë një “pajë” të paprecedentë në infrastrukturën arsimore”.

Pas shkollës “Servete Maçi”, bashkia do të nisë edhe  17 të tjera me projektin partneritet publik-privat, që synon të eliminojë mësimin me dy turne.

Tv Klan