Veliaj: Do investojmë tek “Asllan Rusi” dhe stadiumi “Dinamo”

Nga Parku Olimpik i Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka shpallur të hapur vitin e qytetit europian të sportit, titull që iu dha kryeqytetit shqiptar në Bruksel 2 muaj më parë. 2023-i sipas Veliajt do ta gjejë Tiranën me një pallat sporti krejt të ri, duke e kthyer ‘Asllan Rusin’ në një arenë europiane të lojrave me dorë.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm që Pallatin e Sportit Asllan Rusi ta kthejmë me të njëjtat kushte por 10 herë më të madhe se kjo sallë e Parkut Olimpik për të pasur më në fund në Tiranë një arenë moderne europiane të lojërave me dorë, për volejbollin, basketbollin, hendbollin dhe shumë sport të tjera. ky është viti kur Pallati i sportit do të ribëhet nga e para, më i madh”.

Pjesë e investimeve është edhe stadiumi Dinamo, ku kryebashkiaku njoftoi se edhe kjo arenë sportive do të jetë një nga investimet që do të realizohen.

“Kjo do të jetë nisma jonë për stadiumin e ri Selman Stërmasi dhe besoj që edhe njësia 5 si njësia 2 do të ketë një ambient fantastik për sport, për ekonomi dhe turizëm mu në zemër e njësisë së vet, këtu te stadiumi Dinamo”.

Sipas Veliajt, investimet në sport do të shërbejnë për një qytet të shëndetshëm.

Tv Klan