“Ne kemi filozofinë e punës, ata filozofinë e dhunës”

Partia Socialiste e Tiranës ka nisur nga Njësia numër 1 fushatën e saj të anëtarësimeve të reja. Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, teksa u dha kartën e anëtarësisë 100 të rinjve që u bënë pjesë e kësaj force, nuk la pa ironizuar edhe protestën e opozitës.

“Kur dëgjon ata thonë do bëjmë një protestë të shkatërrojmë këtë ose atë, kurse ne themi: ‘Do mblidhemi të ndërtojmë një shkollë, një kopësht, çerdhe, park, lulishte, një mjedis që i jep vlerë qytetit tonë, lagjes tonë, njësisë tonë, komunitetit tonë. Janë dy filozofi të ndryshme! Ata janë me filozofinë e inatit, ne me filozofinë e pasionit. Ne kemi filozofinë e punës, ata filozofinë e dhunës. Ne duam të ndërtojmë, ata duan të shkatërrojnë. Këto janë dy botë”.

Për këtë arsye, Veliaj theksoi se Partia Socialiste garën e ka me vetveten dhe jo me kundërshtarin.

“Po të jetë për kundërshtarin, nuk ka nevojë të përgatitemi një vit përpara. Po të shikoni si janë katandisur kokoshi një thelë, po të jetë për t’u matur me ta, loja ka mbaruar. Por ne duhet të matemi me veten tonë. Ne duhet të jemi versioni ynë më i mirë”.

Kryebashkiaku nënvizoi se kur PS është në pushtet, vendi vetëm përparon dhe bëhet më europian.

Tv Klan