Bashkia e Tiranës në 24 orët e fundit u përfshi në një krizë institucionale.

Nga qelia, Erion Veliaj firmosi këtë urdhër që mban datën 18 Mars për t’i deleguar kompetencat e drejtimit të bashkisë së Tiranës nënkryetares tjetër Sara Goxhaj.

Kompetenca që vetë ai me një urdhër të datës 14 Shkurt të firmosur po nga qelia ia kishte deleguar Anuela Ristanit.

Urdhri i Veliajt ka marrë dhe formë zyrtare pasi siç shihet ka dhe numrin e protokollit. Por ky urdhër nuk u mirëprit nga kryeministri Rama që mbrëmjen e djeshme ka zhvilluar dhe një mbledhje me drejtuesit e Bashkisë së Tiranës ku mësohet se e ka shprehur mospëlqimin e tij për këtë urdhër të Veliajt, duke njohur Ristanin për drejtuesen në detyrë të këtij institucioni.


Situata dukej shumë e ndërlikuar gjatë 8 orëve të punës për të gjithë stafin e bashkisë këtë të Enjte, pasi të pyetur askush nuk dinte të përgjigjej se cila prej dy nënkryetareve drejtonte de facto pasi ende s’është firmosur asnjë shkresë zyrtare.

Gjithsesi Veliaj e ka zgjidhur këtë dilemë me një status të publikuar në orët e pasdites ku shpjegon se ka qenë e gjitha një keqkuptim mbi të cilin ai dhe ka firmosur urdhrin e tij të datës 18.

“Kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.”

Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi. Veliaj siguron se mes tij dhe kryeministri Rama nuk ka asnjë krizë pasi sipas tij marrëdhënia e tyre është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë.

Tv Klan