“Të dy qytetet do të vazhdojnë të rriten”

“Tirana dhe Prishtina janë dy qytete që duhen marrë shembull”. Kështu u shpreh Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nga Prishtina ku mori pjesë në forumin më të madh të biznesit “Kosova Bussines Forum”. Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi zhvillimin që po njohin të dy qytetet.

“Duhet ta pranojmë faktin se Tirana dhe Prishtina do të vazhdojnë të rriten, ndërsa komunat e tjera, edhe pse na vjen keq, do të vazhdojnë të tkurren. Është e pashmangshme. Kjo do të thotë se Prishtina është e destinuar të jetë motori i ekonomisë së Kosovës. më e vështirë të jemi bashkë-aksionerë të këtij zhvillimi e këtij vizioni. Faleminderit që po e mbështesni vëllain tim, mikun tim, Përparimin, në këtë vizion të tij të 2030-ës. Unë besoj se ai vizion mund të jetë edhe vizioni juaj. Ku do jetë kompania juaj në 2030-ën? Ku do jetë investimi juaj në 2030-ën? Ku do jetë stafi juaj në 2030-ën? Jam i bindur se nëse secili prej jush e pyet veten ku do jetë në 2030-ën, përgjigja do jetë në një Prishtinë që zhvillohet, që ecën shpejt e vrapon pa u ndalur”, tha ai.

Ndërsa homologu i tij, Përparim Rama, në këtë moment të rëndësishëm që po kalon Prishtina me gjithë zhvillimin e saj, nuk e mohoi faktin që shembulli që po ndjek për të rivitalizuar kryeqendrën po e merr nga Tirana.

“Ne po mësojmë shumë nga Tirana. Në vitin 2023 Tirana ishte “Qytetit Europian i Sportit” dhe Prishtina sivjet mban me krenari Qyteti Europian i Sportit 2024; pra, po e ndjekim hapin e Tiranës. Përgëzoj përzemërsisht mikun tim, Erionin, që na ka nderuar me prezencën e tij sot dhe ju uroj për atë arritje madhështore që ka pasur Tirana si “Qyteti Europian i Sportit” gjatë vitit që lamë pas”, tha ai.

Përmes “Kosova Business Forum”, synohet forcimi i lidhjeve mes sektorit publik dhe atij privat, si dhe synohet inkurajimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimi i Prishtinës si një destinacion atraktiv për investime.

Tv Klan