Kryetari i bashkisë: Do e doja mbështetjen e PS-së për një mandat të tretë

Kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, deklaroi se Tirana do të jetë gati për të pritur një event madhështor të futbollit, siç është edhe finalja e Conference League. Ai vlerësoi edhe bashkëpunimin me FSHF-në.

“Bashkëpunimi ka shkuar perfekt. Unë di t’i ndaj çfarë janë problematika që mund të zgjidhen dhe pas datës 25 dhe çfarë janë  beteja që duhen bërë në kohën e duhur siç ishte beteja për Shoqatën e Tiranës që gjykata na dha të drejtë. Por nuk hyj te ata që e djeg jorganin për një plesht”.

Duke shpjeguar mënyrën e lëvizjes gjatë së mërkurës, Veliaj kërkoi edhe mirëkuptimin e privatit që t’i lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia.

“Për çfarëdolloj kompanie që do na ndihmonte duke i kërkuar stafit të vet të punojë nga shtëpia dhe nuk kanë kontakt me njerëzit ose klientët siç mund të ketë një banak apo hotel që do shërbejë çdo ditë, kur ka kompani që mund të punojnë nga shtëpia. Çdo makinë që nuk lëviz nëpër Tiranë është një ndihmë dhe hapësirë që lirohet për fluksin që do të kemi”.

Veliaj u pyet edhe për zhvillimet politike, kur nuk e mohoi se e do mbështetjen e PS-së për një mandat të tretë në Tiranë, teksa iu drejtua edhe kundërshtarëve.

“Ilir Meta është një njeri që e ka mjelë Tiranën bashkë me Sali Berishën për nevojat politike, por nuk i ka dhënë asgjë Tiranës. Mezi e pres në betejë. Do jetë një betejë decizive mes të ardhmes dhe së kaluarës që duhet harruar”.

Nga data 1 Maj, 95% e shërbimeve kanë kaluar online. Sa vështirësi kanë hasur qytetarët e Tiranës?

“Kemi pasur raste të tilla ku shumica e stafit tonë ka qenë  aty kryesisht si instruktorë për të shpjeguar fare mirë si mund të ishte kursyer ai udhëtim dhe si mund të kursehet në të ardhmen dhe mund ta bëjë nga shtëpia. Deri tani ka shkuar perfekt. Prisja të kishte më shumë problematika, por deri tani ka shkuar fjollë, kështu që mos e merr mësysh se jemi shumë mirë siç jemi”.

Kryetari i bashkisë së Tiranës ndër të tjera u ndal edhe zgjedhje e kryetarëve të degës në PS, kur tha se socialistët po bëhen gati për të fituar sërish 61 bashki.

Klan News