Dyfishimi i kapacitetit të filtrimit të ujit në Bovillë dhe një linjë e re transmetimi pritet të përmirësojnë furnizimin me ujë në Tiranë për qytetarët, veçanërisht për ata që jetojnë në periferi. Kryebashkiaku Erion Veliaj pa nga afër punimet që po kryhen për rritjen e kapacitetit filtrues të Bovillës, duke theksuar se ky investim i përgjigjet zhvillimit demografik që ka pësuar Tirana në afro dy dekada.

“Jam jashtëzakonisht i impresionuar. Është një nga ditët më të ftohta të vitit, megjithatë vlon puna në impiantin e Bovillës. Para 20 vitesh, Tirana kishte gjysmën e popullsisë, me dyfishimin e popullsisë, janë dyfishuar nevojat për ujë. Ndaj, po fillojmë dyfishimin e impiantit të Bovillës”.

Nisja e këtij investimi, për Kryebashkiakun e Tiranës shënon edhe nisjen e realizimit të premtimit se Tirana do të ketë 24 orë ujë në 5 vjet.

“Ashtu siç kemi premtuar, kjo shënon edhe nisjen e kronometrit për premtimin tonë të 5 viteve: Tirana, ujë 24 orë. Fillojmë menjëherë punën, fillimisht me impiantin, për ta çuar deri në dyfish sasinë e ujit që filtrohet, dekantohet, sterilizohet, dezinfektohet në këtë impiant. Nga shtimi i këtij impianti do të përfitojë kryesisht zona e Yzberishit, zona e Astirit, zona e Unazës së Re, dhjetëra pallate që kanë ardhur aty kohët e fundit, e që kanë qenë më parë në Komunën e Kasharit. Megjithatë, vetëm një pjesë e furnizimit me ujë i mjafton Yzberishit, pjesa tjetër do shkojë për Kombinatin, për Laprakën, edhe për Kodër-Kamzën”.

Bashkia e Tiranës synon që puna në Bovillë të përfundojë brenda verës, ndërsa ajo për gjithë linjën e transmetimit brenda vitit.

Tv Klan