15 qytetarë kanë marrë shtetësinë shqiptare dhe janë betuar për këtë para kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Në ceremoninë e zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, Veliaj u shpreh se ky është një moment ideal për t’u bashkuar me qytetin, i cili sot numëron rreth 1 milion turistë në muaj.

“Sot mjafton të dalësh nga dera e bashkisë dhe shikon se sa turistë ka, rreth 1 milion në muaj. Sot në Tiranë kanë rezidencën 144 kombësi. Nga një Tiranë e 91-shit, ku ishim vetëm ne tanët në një Tiranë që sot ka 25 mijë italianë dhe shumë e shumë kombësi të tjera që e quajnë dhe ata shtëpinë e tyre”.

Veliaj u kërkoi qytetarëve që bënë betimin që të kontribuojnë sadopak për Tiranën.

“Sot Tirana është presidenca e B40, që është rrjeti i bashkive të Ballkanit, para dy vitesh ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Kryeqyteti Europian i Sportit, vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës. Në qoftë se keni kontribute për të dhënë për secilin prej tyre titujve, jeni mëse të mirëpritur”.

Sipas Veliajt, mjafton edhe një lopatë për të mbjellë një pemë, si një mënyrë modeste për të kontribuar për kryeqytetin.

Tv Klan