Tirana bëri bashkë sot aktorët politikë shqiptarë e rajonalë, përfaqësues të Bashkimit Europian dhe Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, ku kryefjalë ishte zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor dhe perspektiva europiane e vendit tonë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij theksoi rëndësinë gjithnjë e më të madhe që po luajnë qytetet në procesin e integrimit. Por, ai e vuri theksin te rinia, e sidomos në promovimin e tyre, par t’i bërë pjesë të vendimmarrjeve të rëndësishme. “Ne jemi kryeqyteti më i ri në Europë dhe jemi zgjedhur Kryeqyteti Europian i Rinisë për 2022. Kur u ktheva në 2003, dëgjoja politikanë që thoshin se rinia është e ardhmja , pra me ju do të flasim më vonë, s’ka ardhur ende koha juaj. Por, në fakt, kjo ishte një shaka. Qytetet, qeveritë që e marrin seriozisht rininë, duhet të jenë krenare. Në listat e PS e kemi për detyrë të vendosim raportin 50/50 burra-gra, dhe 1/3 të rinj; pra, të rinj aktivistë nën 35. Duhet ta shtyjmë më tej këtë axhendë, më shpejt. E di që ka njerëz të emancipuar që nuk besojnë në kuota, por në fakt kuotat funksionojnë dhe ky është një shembull i mirë që kemi në Tiranë dhe në Shqipëri për të promovuar të rinjtë”, tha ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se rajoni është në një moment fantastik për të hedhur hapa të mëdhenj përpara, ndërsa njohu të pranishmit me ambicien e Tiranës për t’u mësuar të rinjve gjuhën e kodimit. “Më pëlqen që Lufthansa ka vendosur zyrat e veta në Tiranë, po ashtu edhe një kompani amerikane do të vendoset këtu. Do të hapim Piramidën, që ka qenë mauzoleumi i diktatorit, për ta kthyer në shkollën më e madhe të teknologjisë së informacionit në rajon. Në Stokholm edhe një 6-vjeçar mëson të kodojë, nuk ka përse këtu të mos bëjmë këto hapa që nevojiten për të kapur ritmin”, deklaroi Veliaj.

Teksa ftoi të pranishmit të vizitojnë Tiranën, Veliaj shtoi se transformimi i Pazarit të Ri dhe i sheshit “Skënderbej”, janë prova më e mirë e ambicies dhe qëllimit të qytetit për t’u bërë një shoqëri evropiane./tvklan.al