Për finalen e Conference League, Tirana do të ketë 3 Fan Zona për të pritur tifozët që nuk do të kenë bileta dhe do ta shohin ndeshjen jashtë stadiumit. Ai tha se Amfiteatri Veror i Liqenit dhe pedonalja “Murat Toptani” do të kthehen në Fan Zone për tifozët e Romës dhe Feyenoord, ndërsa sheshi “Skënderbej” do të presë tifozë neutralë.

“Kemi përgatitur 3 fan zona: Për të gjithë ata qytetarë që kanë pyetur se ku mund ta shohin ndeshjen nëse s’janë tifozë të Romës apo Feyenoord-it, vendi i duhur është sheshi “Skënderbej”, ku do të jetë fan zona e përbashkët. Tifozët e Romës, të cilët identifikohen me pjesën jugore të stadiumit, do të mblidhen në zonën e Amfitetarit të Liqenit, kurse tifozët e Feyenoord do të hyjnë nga ana veriore e stadiumit dhe do të mblidhen te pedonalja e Tiranës”, theksoi ai.

Veliaj shprehu besimin se finalja do të jetë një festë e madhe për Tiranën, që përkon edhe me Kryeqytetin Europian të Rinisë.

“Mezi pres që ta kthejmë në një super festë për Tiranën, një super imazh për Shqipërinë. Ky është viti i Tiranës dhe duhet ta maksimizojmë si një mundësi që na vjen një herë në jetë ose të paktën një herë në gjeneratën apo në mandatin e Bashkisë sonë, për të dhënë më të mirën. Për këtë lipset jo vetëm skuadra e bashkisë, por skuadra e gjithë Tiranës”, nënvizoi kreu i Bashkisë./tvklan.al