Veliaj tregon prapaskenat për vendosjen e listës së Tiranës: Xhafaj dhe Kodheli nuk janë përzënë



Veliaj tregon prapaskenat për vendosjen e listës së Tiranës: Xhafaj dhe Kodheli nuk janë përzënë

22:39 08/04/2021

Erion Veliaj, ka qenë personi i cili ka ideuar 99% të listës së Tiranës të kandidatëve për deputetë. Në cilësinë e drejtuesit politik të këtij qarku, kreu i Bashkisë së Tiranës, tregoi se çfarë i ka thënë Rama atij dhe drejtuesve të tjerë politikë sa i përket listave.

“I tha jo vetëm Tiranës, i tha të 12 qarqeve që keni besim maksimal, jeni mjaftueshëm të pjekur si skuadër dhe secila duhet të bëjë skuadrën e vet lokale si pjesë e skuadrës kombëtare. Në fund që kemi diskutuar. Më shumë kanë thënë jo se po”, tha Veliaj.

Veliaj u shpreh se emrat e Luljeta Bozos dhe Najada Çomos janë diskutuar së bashku me kryeministrin Edi Rama për t’iu vënë në krye të listës. Por surprizë në listën e kryeqytetit ishin tre emra, Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj dhe Mimi Kodheli.

Për Majkon, Veliaj tha se, “Secili që ka qenë drejtues historik i PS, përfshirë dhe vetë Edi Ramën, Gramoz Ruçin, Taulant Ballën, Niko Peleshin, Damian Gjiknurin, janë të gjithë në kufi të listës. Njeriu më i njohur në Tiranë që ka qenë dy herë kryeministër, disa herë ministër, tamam me titullin senator është Pandeli Majko dhe ishte gëzim për mua kur Pandi kapi strategjinë, por ishte nga ata që vrapoi më shpejt që ne të sigurohemi që të dalim me ato 19 mandate, por ndoshta të marrim ndonjë surprizë”.

Ndërkohë për Xhafajn dhe Kodhelin që janë më poshtë në listën e Tiranës, Veliaj u shpreh se po bëjnë një fushatë të mirë.

“Xhafaj dhe Kodheli, janë të dytët që ndoshta s’kanë qenë kryeministra, por hyjnë në radhët e socialistëve si njerëz që kanë një logo të emrit të tyre përtej dhe logos së PS-së. Kur bëhet një fushatë korrjesh, ka autokombajnë që është trëndafili me grusht që është logoja jonë, por ka edhe drapër të atyre njerëzve që përtej logos së partisë kanë reputacionin e tyre. Është një mënyrë për t’u thënë që të gjitha kontributet që keni dhënë, të gjithë respektin që keni gjeneruar, është koha që ta bashkoni me të PS-së”, tha Veliaj.

Veliaj mohoi që Xhafaj dhe Kodheli të jenë përzënë nga PS-ja për shkak se janë vendosur në mesin e listës së Tiranës.

“Po të ishte për të përzënë nuk do ishin fare në listë. Unë besoj se këta të dy kanë një shans më të madh se disa të tjerë për të thyer listën. Unë besoj që kanë shans për të hyrë në parlament. Po bëjnë një fushatë shumë të mirë. Nuk është fare sekret, janë të dy miq të dashur të mitë”, tha Veliaj.

Veliaj tregoi edhe strategjinë që është ndjekur për këtë listë. Ai u shpreh se në krye të listës qëndrojnë personalitete që kanë të bëjnë me luftën ku është përqendruar vendi tani, pandemia dhe rindërtimi. Ndërkohë mesi i listës sipas tij është plotësuar me emra që kanë pjekuri politike./tvklan.al







Të ngjashme