“Para 5 vitesh Tirana përmbytej pas çdo shiu”

Kryebashkiaku i Tiranës ka vizituar disa nga banoret e Baldushkut që kanë hyrë në shtëpi të rindërtuar pas tërmetit të 26 Nëntorit. Duke ju referuar situatës së krijuar nga moti i keq, Veliaj tha se nuk duhet harruar koha kur banoret e zonës së bregut te lumit përmbyteshin pas çdo shiu.

“Përpara 5 vitesh, kur Tiranën e kishin këta që sot bëjnë gam-gam nga Gjiri i Lalzit, përmbyteshin Bregu i Lumit dhe Njësitë 4, 8, 9 e 11. Uji vinte deri te “Siri Kodra” e në Laprakë, kurse Tirana mbante erë. Është shumë kollaj të shash, por është më e vështirë të ndërtosh, të pastrosh, të ndihmosh njerëzit, t’i zhvendosësh në zona që përmbyten, t’i kompensosh edhe për përmbytjet që kanë ndodhur në kohën e atyre të Lalzit. Por, e rëndësishme është se nuk duhet të harrojmë ku kemi qenë e ku jemi sot. Në këto 100 ditë, mesazhi im është ky: me dashuri dhe shpresë do t’i mundim ata që përçajnë me frikë e mllef. Ne nuk e ndalojmë dot natyrën, por mund të ndalojmë gjumin, përtacinë dhe indiferencën”.

Kryebashkiaku shtoi se deri në 25 Prill beteja zhvillohet mes atyre që japin zgjidhje dhe atyre që flenë gjumë.

“Është betejë midis një filozofie që thotë ku ka sfidë duhet të japim zgjidhje – si kryeministri që gjeti zgjidhje me vaksinat e para, apo kur ra tërmeti, ngriti shtetin në këmbë – dhe filozofisë së gjumit, të atij që s’la një gjurmë në Tiranë, nuk bëri një shkollë e nuk nguli një gozhdë. Përballja e madhe është midis skuadrës së shpresës dhe skuadrës së frikës”.

Aktualisht, Baldushku është kthyer në kantier si për rindërtimin e banesave të reja, ashtu edhe për rikonstruksionin e atyre që u dëmtuan nga tërmeti.

Tv Klan