Veliaj u përgjigjet akuzave të PD



Veliaj u përgjigjet akuzave të PD

15:41 24/01/2021

“Shpifje dhe çudira që nuk i beson askush”

Kryebashkiaku i Tiranës i konsideron shpifje pa asnjë bazë akuzat e Partisë demokratike për lidhje me mafien italiane. Gjatë një takimi në Lekaj të Rrogozhinës si drejtues politik i qarkut Veliaj thotë se akuzat janë pjesë e politikës “përça e sundo”. 

Këto ditë do dëgjoni plot çudira. Do fillojë lumi i baltës dhe i shpifjeve. E dini pse s’duhet të habitemi? Sepse këtyre kjo u ka mbetur, një stil kanë: përça dhe sundo. Për dy dekada, Saliu dhe Meta i përçanë shqiptarët. Ju kujtohet ’97? Ju kujtohet ’98? Ju kujtohen sulmet me bazuka e tanke kundër kryeministrisë? Tamam “përça dhe sundo”? Ndaj jugun me veriun, ndaj të krishterë dhe myslimanë, ndaj fshatin dhe qytetin dhe u eci, por tani mjaft më! Njerëzit e kanë kuptuar. Ata e patën shansin ta bënin Tiranën, të ndërtonin një shkollë. E çfarë bënë? Vranë njerëz me plumba në mish. Ende s’ka kërkuar njeri falje. Për pak vjen përvjetori i Gërdecit. Ministrat e Gërdecit na i sjellin si kandidatë dhe thonë, “ne jemi ndryshimi”.

Veliaj tha se opozita nuk ka ofertë dhe se po përpiqet të sjellë në parlament gjyqtarë e prokurorë të përjashtuar nga Vetting-u.

Këta janë riciklimi i të gjitha mbetjeve, karikaturave, vjetërsirave dhe një pjese të madhe të kriminalizuar të politikës. Në Tiranë si kandidaturë do sjellin prokurorin që s’merrte dot vizë amerikane dhe që Vetting-u e nxori jashtë. Do sjellin ndërtuesin që kishte ndërtuar brenda në ujë në Vlorë – këta janë kandidatët e Ilir Metës dhe Monikës”. 

Veliaj tha se PS nuk është perfekte, por është e vetmja forcë që punon për ringritjen dhe shërben me pasion për qytetarët.

Tv Klan






Të ngjashme