“Nëse nuk realizoni frekuencën, ikni në shtëpi”

Operatorët e transportit urban që në fillim të javës që vjen nuk do të jenë gati për të nisur punë, do të humbasin licencën. Krybashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nga njësia numër 11 ku inspektoi përfundimin e disa rrugëve, ju bëri thirrje kompanive që të rinisin shërbimin.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që linjat të kuptojnë se kur kanë pasur nevojë për bashkinë, Bashkia ka qenë me ta. Duhet që ata t’i rikthehen shërbimit. Ajo që thonë disa kompani, se do e mbajnë licencën private, derisa të më dalë mua llogaria, nuk shkon sepse ajo licencë do të hiqet sepse s’po na del llogaria neve si qytetarë”, tha Veliaj.

Bashkia e Tiranës ka nisur monitorimin e frekuencës së autobusëve.

“Këto tre ditë do t’i ndjekë personalisht frekuencat. Kush nuk i realizon, le të shkojë në shtëpi të vajosë jahtin e tij, të shkojë me pushime por, Tiranën nuk e mban dot peng. Do më kenë në krah teksa negociojmë me qeverinë edhe për rimbursimet e mundshme dhe për lehtësira të tjera, vetëm nëse fillimisht më japin të besoj që ata nuk e marrin për të mirëqenë mirësinë tonë, por që e marrin seriozisht afatin, urdhrin dhe ligjin për t’iu rikthyer punës”.

Kryebashkiaku bëri me dije se nga java tjetër do të nisë lidhja e kontratave me qytetarët, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti për të filluar më pas menjëherë me dhënien e pagesave cash.

Tv Klan