Një ditë pas komenteve që i bëri qëndrimit të presidentit Meta lidhur me unazën e re, kryebashkiaku Veliaj tha se pengesa dhe bllokimi nuk janë  rruga më e mirë për të ecur përpara. Dhe për këtë ai bën përgjegjëse një pjesë të politikës që sipas tij po u bën bllokadë projekteve të zhvillimit.

“Fakti që sabotohet Unaza e Madhe, fakti që sabotohen lodrat te Liqeni, fakti që sabotohet Bulevardi i Ri, shkollat, çdo lloj pune publike në Tiranë, do të thotë se paska një pjesë të politikës që nuk ia do të mirën këtij vendi, nuk do që ky vend të bëjë përpara”.

Teksa inauguroi hapjen e segmentit të dytë të Bulevardit të Ri, kryebashkiaku u ktheu një përgjigje edhe protestuesve që kanë kundërshtuar projektin.

“Tani ju kemi bërë edhe një Bulevard të Ri, mund të vini të protestoni për çdo gjë, por fillimisht na tregoni, si e bëni ju këtë punë! Para se të mobilizoheni të rrëzoni qeverinë dhe ata që kanë sjellë gjithë këtë zhvillim e progres për Tiranën, na thoni nga kush duhet të marrim shembull”.

Veliaj tha se ky investim i jep zgjidhje një nyje që shkaktonte trafik.

“Ata që banojnë në njësitë 8 dhe 9, të lidhur përmes rrugëve “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja”, kanë një mundësi të shkëlqyer të shkurtojnë kohën e tyre në trafik, duke kaluar nga njëra njësi tek tjetra”.

Projekti i Bulevardit të Ri po vijon edhe për pjesën tjetër dhe  do të mbyllet me një shesh ceremonial, i ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”.

Tv Klan