Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili u rikonfirmua zyrtarisht si kandidat i PS për bashkinë e kryeqytetit, ka folur për marrëdhënien e tij në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Sipas Veliajt, marrëdhënia e tij me Kryeministrin Edi Rama është si mishi me thoin.

“Mishi me thoin nuk di të jenë më afër seç jam unë me Edi Ramën. Unë nuk di në 30 vite pluralizëm, një kryeministër të ketë qenë më afër me një kryetar bashkie, seç jam unë me Edi Ramën dhe seç kam qenë këto 4 vite. Sinkronizim vendimmarrje, qëllimi dhe pasioni, si këto katër vite, unë vetë nuk di të ketë pasur ndonjëherë Tirana. Di t’ju them që unë dhe kryeministri flasim mesatarisht 20 herë në ditë. Nëse kjo quhet ftohje, nuk e di çfarë vlon më tej. Në 30 vite dyshoj se gjeni një rast ku një kryetar bashkie të jetë mbështetur kaq shumë dhe të jetë më afër me një kryeministër sesa unë dhe Edi Rama”.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse ka ndonjë kritikë për Qeverinë Rama dhe Partinë Socialiste, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh:

“Ne duhet të punojmë më shumë për të ngushtuar hendekun fshat-qytet. Fshatrat janë akoma mbrapa. Është njëra nga gjërat që mua më lë natën pa gjumë. Në këtë fushë duhet urgjent që ky projekt i 100 fshatrave të shkojë në marshin e pestë”.

/tvklan.al