Veliaj: Viti i Ri do t’i gjejë familjet e prekura nga tërmeti në shtëpitë e reja



Veliaj: Viti i Ri do t’i gjejë familjet e prekura nga tërmeti në shtëpitë e reja

14:32 25/10/2020

Ndalesa e radhës e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, sot ishte në Zall-Herr, i cili në një takim me stafin e kësaj njësie administrative kërkoi mbylljen e dosjeve të tërmetit, në mënyrë që të vijohet me të gjitha shtëpitë që kanë nevojë për riparim ose rindërtim. Ai vizitoi edhe shtëpinë e Alfred Kodrës, e cila po rindërtohet dhe për pak ditë është gati.

“Ky ka qenë një vit që, ndoshta s’e kishim menduar as në ëndrrën më të keqe, por kur shoh sa shtëpi janë bërë, sa njerëz kemi ndihmuar, sa halle kemi zgjidhur, dua t’ju them vërtet bravo ju qoftë! E di që jemi futur te procesi i pagesave, shtëpive dhe ndërtimeve të reja, kështu që t’i japim pak gaz tani në fund dhe të sigurohemi që Viti i Ri t’i gjejë të gjithë në shtëpinë e reja”, tha Veliaj.

Pas vizitës në shtëpinë e Alfred Kodrës,kryebashkiaku shtoi se: “Mezi pres që të vijmë këtu para Vitit të Ri për ta inauguruar. Ka shumë politikanë që thonë, mos dilni nga shtëpitë e vjetra sepse nuk do u bëhet e reja, por ti e ke parë me provë që, duke dalë nga e vjetra dhe duke mos rrezikuar më në një çati që po shembej, ke fituar me besim një shtëpi të re, që do të jetë këtu edhe për 100 vjet”.

Kreu i Bashkisë foli edhe për nënkalimin tek sheshi Shqiponja, ku tha se do punohet me ritme të shpejta, që galeritë të hapen brenda pranverës së ardhshme. “Besoj se pranverën tjetër do hapim galeritë e nëntokës te “Shqiponja”, por lipset që të ketë një devijim dhe të fokusohemi që të bëhet edhe kjo galeria e fundit, pastaj gjatë fillimit të vitit tjetër do të fillojmë të testojmë hapjen e trafikut”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Veliaj tha se së shpejti pritet të nisin konsultimet për buxhetin e vitit të ardhshëm, ku do të planifikohen të gjitha projektet që u shtynë për shkak të emergjencës së tërmetit dhe pandemisë.

“E di që janë disa rrugë fshati ende për të punuar, e di që ka disa ndërhyrje të tjera, sidomos në këto zonat e thella, por gjithë dashamirësia është që t’i rikthejmë në kalendar dhe të vijojmë me ritmin që kemi pasur edhe më përpara”, tha kryebashkiaku.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës vizitoi edhe një baxho në Zall-Herr, e cila, veç 30 të punësuarve të përhershëm, bashkëpunon edhe me 300 familje të zonës; si dhe një mobileri, e cila gjithashtu punëson 30 persona./tvklan.al




Të ngjashme