Pas marrëveshjes së financimit me BERZH-in, Tirana ka tashmë edhe një masterplan të detajuar për investimet, me qëllim furnizimin me ujë 24 orë dhe zgjerimin e rrjetit. Me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Budapestit, István Tarlós dhe Csaba Haranghy, Drejtor Ekzekutiv i Kompanisë Shtetërore Publike të Ujësjellësit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi dje pasdite një vizitë zyrtare në Hungari, ku mori në dorëzim masterplanin e ri të investimeve të UKT, për furnizimin e kryeqytetit me ujë të pijshëm.

Veliaj theksoi se falë këtij bashkëpunimi, Tirana ka një masterplan të ri, i cili do t’i japë zgjidhje furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët. “

Partneri ynë kryesor në Budapest është Kompania Shtetërore Publike e Ujësjellësit, një ndër më të mirat sot në botë. Më vjen mirë që më në fund, pas disa muajve pune, kemi një produkt konkret. Ndaj, dua të falenderoj drejtorin për masterplanin e ri të Ujësjellësit të Tiranës. Sot shkojmë tek kreditorët si BERZH-i, duke pasur projekte profesioniste dhe duke prekur në mënyrë konkrete disa nga problematikat e ujësjellësit në Tiranë. Shpresoj që tani të përsërisim në Tiranë të njëjtin sukses që kemi parë këtu në Budapest”,

tha Veliaj.

Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë Shtetërore Publike të Ujësjellësit të Budapestit, Csaba Haranghy, vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe theksoi se kryeqyteti shqiptar ka një masterplan për investimet në ujësjellës.

“Është një gjë shumë e mirë që përfunduam këtë masterplan, si një produkt të përbashkët, me të cilin do pajisim ujësjellësin e Tiranës, se si të mund të përmirësoni në kohë afatmesme shërbimin tuaj me ujë. Tashmë, mund të bëni plane veprimi të detajuara dhe mund t’i sillni bashkë me planet e investimit, kështu mund të ndërtoni projektet e nevojshme për ujësjellësin në qytetin tuaj”

, tha Haranghy.

Ndërhyrja e parë do të nisë në Bovillë dhe në zonën e Yzberishtit, ndërkohë që me masterplanin e ri, qyteti ndahet në shtatë zona. Veliaj siguroi se falë kësaj reforme dhe mbështetjes së qytetarëve, Tirana ka sot një plan financimi të mirëfilltë për t’u siguruar që brenda pesë viteve të arrihet furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë.

“Me kredinë e BERZH-it nisim ndërhyrjet në Bovillë dhe në Yzberisht, ndërkohë me masterplanin e ndajmë Tiranën në 7 zona. Zona e parë që do të fillojmë do të jetë ajo e Shkozës, zona e “Ali Demit”, për të bërë investime specifike aty për ujë 24 orë. Do të vijojmë derisa të sigurohemi që brenda 5 viteve, falë kësaj reforme dhe mbështetjes së madhe që qytetarët e Tiranës na kanë dhënë, të kemi një plan financimi të mirëfilltë për të siguruar që të kemi ujë 24 orë në Tiranë”,

nënvizoi ai.

Veliaj falenderoi qytetarët për korrektesën e treguar për shlyerjen e detyrimeve për ujin e pijshëm, ndërsa e vlerësoi të suksesshme reformën e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për t’i dhënë fund vjedhjes së ujit. “

Kemi pasur një  vit rekord të korrektesës qytetare me të cilën njerëzit na janë përgjigjur kur vjen puna tek pagesat, te sinjalizimi i atyre që abuzojnë me ujin e pijshëm dhe atyre që bëjnë lidhje të paligjshme. Reforma e qeverisë shqiptare dhe e kryeministrit po funksionon, por sidomos në Tiranë, ku qytetarët menjëherë janë përgjigjur sepse ia kanë parë hajrin se çfarë do të thotë ta trajtosh me kujdes pronën publike, që pastaj të të kthehet në investim dhe të jesh i pari që merr përfitimet e këtij investimi”

, tha Veliaj.

Dy kryebashkiakët, Veliaj dhe Tarlós, biseduan edhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve mes dy qyteteve, veçanërisht në fushat e zhvillimit urban, kulturës dhe turizmit. Veliaj deklaroi se mes Budapestit dhe Tiranës do të nisin një sërë projektesh të përbashkëta, veçanërisht për të rinjtë. Ai u takua edhe me komunitetin shqiptar dhe miq hungarezë, me të cilët bisedoi rreth transformimeve që ka pësuar Tirana këto vite dhe projektet e ardhshme që e presin qytetin.

/tvklan.al