Prezanton transformimin e Tiranës në Universitetin e Kembrixhit

100-vjetori i shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë do të shënojë nisjen e disa prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, që do t’i japin formë qytetit të së ardhmes. Nga Universiteti i Kembrixhit në Londër, ku ishte i ftuar për të prezantuar transformimin që ka pësuar Tirana vitet e fundit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se shumë shpejt do të nisë puna për një sërë projektesh si Teatri i Ri Kombëtar, zgjatja e lumit të Lanës, Parku i Qendror në Bulevardin e Ri etj.

Në 100-vjetorin e Tiranës ndihem vërtet krenar që qyteti ynë gjen kaq shumë hapësirë në universitetet dhe në auditorët më të mirë. Jam shumë i frymëzuar që në këtë 100-vjetor të fillojmë disa projekte shumë të rëndësishme për Tiranën, duke filluar nga Teatri Kombëtar, zgjatja e lumit të Lanës, godina e re e bashkisë në Bulevardin e Ri, Parku i ri Qendror”, tha Veliaj. Ai dha lajmin e mirë për ndërtimin e një pallati të ri sporti, pas suksesit me projektin e ndërtimit të stadiumit “Air Albania”. “Na duhet një pallat i ri sporti, që të ketë të njëjtin dinjitet si stadiumi i ri kombëtar, i cili gjithashtu pati dilema dhe debate, por në finale është një bizhu për qytetin”, shtoi kryebashkiaku.

Teksa theksoi se shumë prej këtyre projekteve kërkojnë guxim, Veliaj siguroi se Tirana nuk do të ndalet në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit. Ai nënvizoi se falë projektit të rindërtimit, do të lindë edhe qyteti i 100 viteve të ardhshme. “Sigurisht, shumë prej projekteve kërkojnë guxim, kërkojnë shumë debat, por në finale duhet të marrim vendimin që Tirana të ecë përpara. Disa nga vendimet e rëndësishme lidhen me vendimet e qeverisë dhe kryeministrit për ndërtimin e lagjeve të reja në Tiranë; disa nga kompanitë, skuadrat e arkitektëve edhe universitetet e ndryshme që janë përfshirë në projektet e rindërtimit ishin këtu për të treguar sesi kriza mund të jetë edhe një mundësi. Pra, nga rrënojat mund të lindë edhe diçka e re, një qytet i 100 viteve të ardhshme”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se Bashkia e Tiranës do të nisë edhe një bashkëpunim të veçantë me Universitetin e Kembrixhit. “Ishte një kënaqësi e veçantë për të bashkëbiseduar me studentët e Kembrixhit, një nga universitetet më të mira në botë, ndaj jam shumë i lumtur që u diskutua për transformimin e Tiranës, duke filluar nga ditët e para të revolucionit urban në kohën e Edi Ramës, dhe gjithë zhvillimit që kemi kaluar me shumë guxim këto vite. Mezi pres që me Universitetin e Kembrixhit të fillojmë një raport, njësoj siç kemi me Universitetin e Harvardit dhe universitete të tjera, ku studentët më të mirë vijnë për praktikën e tyre në Tiranë. Mezi pres që produktet e para të kësaj marrëdhënieje të re, t’i shohim shumë shpejt në Tiranë”, përfundoi Veliaj./tvklan.al