Rreth 120 mijë banorë të zonës së ish-Bllokut dhe të Tiranës së Re do mund të furnizohen në mënyrë të rregullt me ujë të pijshëm. Paralelisht me masat e marra për ndërprerjen e prerjeve të paligjshme dhe shmangien e abuzimeve, Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë po i kushtojnë një vëmendje të veçantë edhe përmirësimit të rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i UKT, Redi Molla, inspektuan punimet që po kryhen për rikonstruksionin e linjës kryesore të furnizimit me ujë në Bulevardin “Bajram Curri”.

“I falenderoj të gjithë kolegët që kanë kaluar një pjesë të verës duke investuar në rrjetin e ujësjellësit. Flasim për investime të cilat nuk janë bërë prej vitesh, të cilat jo vetëm shtojnë prurjet dhe transmetimin në këtë rrjet, por na japin mundësi që për 120 mijë banorët e Tiranës së Re të rrisim furnizimin me ujë të pijshëm, sidomos në katet e larta të pallateve. Me investimin e sotëm i japim zgjidhje pjesës më të madhe të Tiranës së Re. Me rrjetin kemi ecur shumë përpara sepse kemi bërë rreth 105 investime vjet dhe mbi 100 të tjera këtë vit

”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u ndal edhe në çështjen e  furnizimit me ujë të pijshëm të kryeqytetit, ku grupet e Task-Forcës kanë nisur punën për prerjen e lidhjeve të paligjshme dhe për disiplinimin e abuzuesve

.

“Dua të përgëzoj kolegët e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Task-Forcën e Ujësjellësit dhe të gjithë ata që kanë bashkëpunuar në këtë operacion, t’i inkurajoj të vazhdojnë përpara me të njëjtën frymë, për të disiplinuar këtë  situatë. Garantoj të gjithë qytetarët që edhe pse situata është përmirësuar, nuk do rreshtim së disiplinuari mënyrën se si furnizohet Tirana me ujë të pijshëm. Jemi momentalisht në një aksion i cili po zhvillohet në çdo cep të Tiranës, por kryesisht jashtë territorit të bashkisë Tiranës, pra në zona që i përkasin bashkisë Vorë dhe kryesisht Bashkisë së Kamzës, duke nisur nga  Babrruja, Paskuqani e Kamza, përfshirë edhe disa zona të Laknasit e Bërxullit”

, u shpreh ai.

Falë masave të marra nga Bashkia, rezultatet e para janë shumë pozitive. Veliaj deklaroi se situata e furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve të Tiranës është drejt përmirësimit dhe se pavarësisht se aksioni ende nuk ka përfunduar, prurjet në rrjet janë rritur.

Sot nuk e kemi kaluar krizën, por gjendja është shumë më e mirë, kemi më shumë ujë në depo. Është e vetmja mënyrë se si sigurohemi që 93% e qytetit të Tiranës, e qytetarëve që e paguajnë faturën e ujit, që tregohen të kujdesshëm me ujin, që e respektojnë këtë mall. Pavarësisht se sa i lirë është ai në qytetin tonë, të mos dëmtohen nga një 7% i cili kryesisht është në zonat periferike të Tiranës dhe tregohet i pandjeshëm ndaj faktit që jemi në emergjencë uji, siç janë në fakt Italia, Greqia dhe shumica e Ballkanit

”, theksoi Veliaj.

Ai shprehu vendosmërinë e Bashkisë për të marrë të gjithë masat e nevojshme për ndalimin e vjedhjes së ujit të pijshëm, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me përdorimin e tij.

“Si kryetar i Bashkisë së Tiranës, duhet të bëj avokatin e qytetit tim, ndaj nuk do lejoj askënd tjetër jashtë qytetit të Tiranës apo edhe brenda në periferi të qytetit, që të lërë pa ujë dikë që është në ekstremin tjetër të qytetit, tek “Astiri” apo në një vend tjetër, sepse dikush do lajë makinën e  luksoze apo do freskojë lokalin. Është ujë i pijshëm, nuk është ujë për të freskuar lokalet, rrugët, makinën e trotuarin”,

tha kreu i Bashkisë.

Veliaj deklaroi se nisma e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës ka rritur numrin e personave të cilët i janë drejtuar sporteleve të UKT për të lidhur kontrata për ujin e pijshëm dhe siguroi qytetarët e prekur nga kufizimet, se do të vijojë puna për furnizimin me bote.

“Më vjen mirë që kemi rritur numrin e personave që kanë vendosur të bëjnë një lidhje të ligjshme me UKT. Vjedhja e ujit është krim, i cili gjithashtu dënohet si vjedhja e energjisë. Dua të garantoj qytetarët, në atë 10% të Tiranës që ka ndjerë këtë problem, që pavarësisht përmirësimit të situatës, do vijojmë furnizimin me bote dhe të sigurohemi që pavarësisht çfarë ndodh në këtë fushatë radikale për prerjen e lidhjeve të paligjshme, ata nuk do të ndiejnë mungesën e ujit të pijshëm”,

theksoi Veliaj.

Tubacioni i linjës ekzistuese është ndërtuar që në vitin 1964, duke mos arritur që t’u përgjigjet nevojave dhe ritmeve aktuale të zgjerimit të kësaj zone. Bashkë me investimin e mëparshëm në depon e ujit të ndërtuar në territorin e depove të Tiranës dhe të tubacionit kryesor që del nga kjo depo, përveç rritjes së presionit, do të ketë edhe rritje të aftësisë përcjellëse të tubacioneve./tvklan.al