Ndihmuan në menaxhimin e situatës pas tërmetit

Tirana ka nderuar sot njerëzit e padukshëm, ata që me kontributin e tyre të përditshëm dhe pa asnjë angazhim publik bënë që qyteti të përballojë një nga momentet më të vështira, siç ishte ai që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit. Çmimet u dorëzuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ishte i pranishëm në emisionin “E diela shqiptare”. Teksa ka vlerësuar të gjithë të rinjtë dhe vullnetarët e tjerë që u angazhuan për t’i ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti, kryebashkiaku Veliaj ka vlerësuar disa prej tyre.

Teksa i ka dhuruar një medalje simbolike, Megi Harizit, më të voglës mes vullnetarëve, Veliaj ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kanë ofruar ndihmën e tyre.

“Përveçse të jesh student, edhe një aktivist koha fluturon. Por këtë herë kemi parë që edhe shumë të rinj në marrëdhënie punë, kanë dhënë ndihmën e tyre. Dhe një nga rastet që na bëri përshtypje është edhe nj djalë që është një nga banakierët më të mirë në Tiranë”, u shpreh Veliaj.

Ndërsa vullnetarja Megi mes emocionesh, u shpreh: “Ndihma ndaj atyre që kanë nevojë është një nga arsye që iu bashkova vullnetarizmit. Të ndihmosh të tjerët të bën të ndihesh mirë me veten. Fakti që ne i ndihmuam këto familje të prekura nga tërmeti, na bën të ndihemi më mirë”, u shpreh Megi. Sakaq, kryebashkiaku Veliaj ka vlerësuar edhe Enis Haxhiajn, Djonis Tucin, Nadia Çobanajn./tvklan.al