Aktivitet për 76-vjetorin e çlirimit të Kavajës

Në 76-vjetorin e çlirimit të Kavajës, Kreu i Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj kërkoi votën e banorëve për të vijuar më tej me reformat e nisura.

“Edhe për ne shqiptarët ka ardhur momenti të reflektojmë e ta ndalim vrullin e urrejtjes, të përçarjes dhe të shërohemi jo vetëm nga virusi, por edhe nga ndasia dhe dëshpërimi që disa me papërgjegjësi e shpërndajnë. Jam shumë i lumtur që sot 14 Nëntori na ka bërë të gjithëve bashkë, socialistë dhe demokratë! Do të doja që kështu të ishim gjithmonë për të ardhmen e kombit”, tha ai.

Teksa u ndal tek akuzat e opozitës në  luftën ndaj pandemisë dhe procesin i rindërtimit , Veliaj tha se historia gjykon mbi fakte.

“Di që ka nga ata histerikë që duan të na përçajnë, duke dashur të bëjnë bashkë periudhën e errët komuniste të pasluftës me periudhën e artë të bashkimit dhe sakrificës në Luftën Antifashiste. Janë po të njëjtit që sot duan të na ndajnë edhe në luftën kundër virusit dhe në betejën e rindërtimit. Por ka një vijë ndarëse të qartë në këtë mes, e kanë vendosur edhe vendet e Evropës Lindore, e kemi vendosur edhe ne si Parti Socialiste, bashkë me qytetarët e drejtë, që dinë të gjykojnë historinë mbi fakte dhe jo mbi llafe”, tha Veliaj.

Sipas kryebashkiakut, formula e bashkëpunimit bashki-qeveri ka rezultuar e suksesshme në Tiranë, prandaj ajo duhet të funksionojë edhe në Kavajë.

Tv Klan