Do të marrim kredi për ndërtimin e teatrit të ri

Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, fondet për të cilin do të sigurohen me një kredi që Bashkia do të marrë, ku si garante është qeveria, nuk e ndryshon projektin për të zhvilluar pronën që Bashkia e Tiranës ka pas godinës së teatrit ekzistues.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, në një intervistë për Televizionin Klan thotë se do të vazhdojnë negociatat për të arritur një marrëveshje për këtë sipërfaqe toke, që aktualisht shërben si parking, pa përjashtuar mundësinë që aty të ngrihen ndërtesa të larta.

“Bashkia e Tiranës do t’i marrë maksimumin çdo milimetri tokë. Mund të jetë një hotel me 5 yje mund të jetë një korporatë dhe nëse meraku ishte çfarë do të bëhet me teatrin, teatrit nuk do t’i preket asnjë centimetër. do bëhet edhe më modern seç ishte propozimi origjinal për skenën. do të bëhet më shpejt duke mos u penguar, duke mos u atashuar me çfarë ndodh me pjesën mbrapa. Janë dy prona të ndryshme. Në një pjesë do të bëhet teatri, në pronën tjetër bashkia do të vazhdojë negociatat që me ato para të paguajë kredinë”.

Veliaj i përgjigjet dhe akuzave të kryetarit të demokrateve, por dhe një pjese të artistëve, që jep njoftime gjysmake për këtë projekt, që fsheh të vërtetën.

“Shqetësohen për parkingun e bashkisë sepse këta nuk kanë merak artin, kanë merak biznesin. Nëse një parti nuk i gëzohet faktit që teatri i ri do të bëhet, do të bëhet me fond publik, do të bëhet tek territori i vet, por ka hallin se ça fiton ai tjetri më tregon që është kthyer në një parti që bën rikato, në një parti që funksionon me gjobëvënie”.

Kryeministri dhe Kryebashkiaku, për afro 2 vite këmbëngulën se partneriteti me privatin ishte shumë i rëndësishëm për shkak të mungesës së parave, por Veliaj shpjegon dhe mënyrën sesi do të përballohet kredia që do të merret për ndërtimin e Teatrit të Ri, i cili do të ketë disa elementë shtesë, me kosto më të lartë, për të modernizuar skenën.

“Tirana ka nevojë të marrë kredi rreth 160 mln euro që të sjellë ujë 24 orë, që të përmbushë kërkesat për arsim. Për të gjitha këto ne marrim kredi, për të bërë banesa sociale. Do hamë pak nga tavani i kredisë për të gjithë fushat e tjera dhe do të duhet të zgjidhim këtë. Bashkia, duke ndarë këto dy projekte, fitojmë edhe diçka tjetër, fitojmë kohën”.

Kryebashkiaku siguron se ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar do të nisë brenda këtij viti, i cili shënon dhe 100 vjetorin e themelimit të Tiranës kryeqytet.

Tv Klan