Vëllai i George Floyd – afrikano-amerikanit që vdiq muajin e kaluar derisa ishte në mbajtje të policisë në Mineapolis – i ka bërë thirrje Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara (UNHRC), që të nisë një hetim të pavarur mbi “vrasjen e personave me ngjyrë nga policia” në Shtetet e Bashkuara dhe “dhunës së ushtruar ndaj protestuesve paqësorë”.

Philonise Floyd i bëri këto komente përmes një video-mesazhi të transmetuar në Këshillin në Gjenevë, teksa ky organ i OKB-së mbajti debatin mbi racizmin dhe brutalitetin e policisë.

Debati në këtë këshill të OKB-së u thirr me kërkesë të vendeve afrikane, të cilët po kërkojnë nisjen e hetimeve lidhur me brutalitetin e policisë dhe diskriminimi racor në SHBA.

Ky debat pason protestat masive për javë të tëra në SHBA dhe në vendet e tjera të botës, kundër brutalitetit të policisë dhe pabarazisë racore, që u nxitën nga vdekja e Floyd më 25 maj.

Floyd vdiq pasi gjatë arrestimit një polic me ngjyrë të bardhë i kishte bërë presion me gju në qafë për pothuajse nëntë minuta.

Vdekja e një personi tjetër me ngjyrë në SHBA, Rayshard Brooks, që u qëllua dy herë në shpinë nga policia në Atlanta më 12 qershor, nxiti po ashtu protesta të dhunshme.

“Ju në OKB keni fuqinë që të na ndihmoni të kërkojmë drejtësi për vëllanë tim, George Floyd”, deklaroi Philonise Floyd përmes një video-mesazhi.

“Jeta e personave me ngjyrë në SHBA nuk ka vlerë. Siç e kam parë në incizim vëllanë tim teksa torturohej dhe vritej, është e njëjta mënyrë sesi trajtohen njerëzit me ngjyrë nga policia në Amerikë”, tha Floyd.

Michelle Bachelet, zyrtare e lartë për të drejtat e njeriut në OKB kritikoi “brutalitetin” që u përdor gjatë vrasjes së Floyd dhe paralajmëroi se kjo ngjarje po simbolizon “racizmin sistematik që prek miliona njerëz që kanë prejardhje afrikane”.

Ndërkaq, presidenti amerikan, Donald Trump më 16 qershor nënshkroi një urdhër ekzekutiv që do të rrisë fondet për trajnimin e policëve gjatë arrestimeve të të dyshuarve. /REL