Ka nisur ditën e sotme vaksinimi i bluzave të bardha nga Kosova. Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka bërë me dije se sot do të vaksinohen rreth 250 punëtorë shëndetësorë me vaksinat AstraZeneca. Procesin e vaksinimit që po zhvillohet në Kukës, e pa nga afër edhe kryeministri Edi Rama. Ai u prit atje nga kreu i Federatës Blerim Syla i cili tha se me këtë gjest “Vëllai i madh e ka treguar veten”. “Jam mirënjohës, shpresoj t’ua kthejmë në një mënyrë tjetër drejt rrugës së bashkimit shëndetësor mes Kosovës dhe Shqipërisë”, tha ai.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama sqaroi arsyet se pse nuk ua dërgojnë dot dozat në Kosovë. Megjithatë ai u shpreh se dy vendet tona janë një dhe Shqipëria nuk ka për ta lënë vetëm Kosovën në këtë moment.  

“Qysh në momentin e parë që filluam kemi kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë në Prishtinë kemi thënë që jemi gati, problemi është që kompanitë nuk lejojnë rieksportim. Nëse do t’i nxirrnim nga territori atëherë do ishte problem i madh. Kjo është njësoj si me qenë në Kosovë. Jemi këtu afër në Kukës. Vazhdojmë, ne jemi një. Kaq e thjeshtë është kjo punë. S’kemi pse e vemë në diskutim. E ardhmja dihet se kush është. Mirë se keni ardhur. Do bëjmë gjithçka deri në fund, nuk do ta lemë me kaq. Hap pas hapi mendoj se do t’i bëjmë të sigurta të gjitha. Presim sasi të madhe, sapo t’i marrim do t’i vemë në dispozicion. Ne nuk do t’ju lemë në asnjë mënyrë vetëm sepse në fund të fundit jemi një. Edhe fakti që bëhet në Kukës lidhet me atë që ia shpjegova Blerimit, ia kam shpjeguar ministrit të Shëndetësisë sepse kompanitë nuk lejojnë nxjerrjen e dozave jashtë. Ne s’kemi pse i nxjerrim jashtë, i bëjmë këtu. Kukësi është edhe i Shqipërisë dhe i Kosovës kështu që me këtë rast qëlloi rastësisht në fakt, të nesërmen e saj hartës së leshit, por është më mirë kështu, kështu që ai shoku në Beograd të publikojë harta dhe të lozë në Facebook, ne jemi, do vazhdojmë dhe një do jemi deri në fund”, tha Rama./tvklan.al