Bashkëpronarja e një firme në Vorë ra në prangat e policisë, ndërsa ndaj dy fëmijëve të saj nisi një procedim penal në gjendje të lirë.

Shkak u bë vjedhja e një shume parash në firmën në pronësi të 51-vjeçares, që dyshohet se u krye nga vëllai i saj, të cilin autoritetet policore e kanë shpallur në kërkim.

Gruaja u arrestua pasi sipas policisë tentoi të pengonte zbulimin e së vërtetës. Të njëjtën gjë duket se bënë edhe djali dhe vajza e saj, të moshës 23 dhe 26 vjeçe.

Në shtëpinë e 51-vjeçares policia gjeti gjithashtu një sasi të konsiderueshme parash, që dyshohet se janë paratë e vjedhura nga firma e saj.  

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Veprime qe pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të shtetases A. Sh., 51 vjeçe, bashkëpronare në një firmë, pasi  ka kryer veprime për të fshehur autorësinë mbi vjedhjen e ndodhur në këtë firmë dhe nuk ka dhënë ndihmën përkatëse për të bërë të mundur zbulimin e ngjarjes. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e kësaj shtetaseje është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme parash që dyshohen se janë siguruar nga kryerja e veprave penale. Në vijim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë shtetasit A. Sh., 26 vjeçe dhe A. Sh., 23 vjeç (vajza dhe djali i shtetases A. Sh.), për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes shtetasi L. T., 48 vjeç, vëllai i shtetases A. Sh”, tha policia e Tiranës, në njoftimin e saj për mediat/tvklan.al