Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim dy persona, si autorë të dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje.

Uniformat blu thonë se ka qenë një telefonatë në sallën operative që ka nisur hetimet.

Kanë qenë vëllezërit e një kandidateje për deputete që kanë thënë se mjeti i tyre është ndjekur nga dy makina të tjera për pretendime që lidhen me fushatën elektorale të motrës së tyre në qarkun e Lezhës.

Ata pretendojnë se janë kanosur edhe me armë në fshatin Dajç.

Policia i ka identifikuar autorët dhe i ka shpallur në kërkim ata.

“Shpallja në kërkim e tyre u bë pasi rreth orës 23:25 të datës 04.05.2025, shtetasit E. N. dhe D. N. njoftuan Sallën Operative të Policisë së Lezhës, se fillimisht automjeti me të cilin lëviznin, ishte ndjekur nga 2 automjete të tjera, dhe më pas në fshatin Dajç, ishin kanosur me armë, nga shtetasit që udhëtonin me dy automjetet, për pretendime që lidhen me fushatën elektorale të motrës së tyre, kandidates për deputete të qarkut Lezhë, shtetases K. N. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë nisën hetimet, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit. Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se autorë të kanosjes janë shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç. Shërbimet e Policisë vijojnë intensivisht punën për kapjen e tyre. Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore të gjitha rrethanat e këtij rasti”, njoftoi policia./tvklan.al