Nëntë apartamente, dy dyqane dhe një garazh, janë sekuestruar në pronësi të dy vëllezërve Armando dhe Alket Gorezi. Sipas njoftimi të policisë pasuria e tyre e cila kap shifrën e 2.2 milionë Eurove dyshohet se është përfituar nga të ardhura të aktivitetit kriminal.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni i koduar “Vllazëria” nga Seksioni i Pastrimit të Parave në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sekuestrohen nëntë apartamente, dy dyqane dhe një garazh, pasuri këto të dyshuara të përfituara nga të ardhura të rrjedhura nga aktiviteti kriminal. Seksioni për Pastrimin e Parave në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në funksion të procedimit penal të vitit 2018 “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në ngarkim të shtetasve Armando Gorezi 44 vjeç dhe Alket Gorezi 47 vjeç (vëllezër), finalizoi operacionin policor të koduar “Vllazëria”, në kuadër të të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës dhe sekuestrimi preventiv i :

– nëntë apartamenteve

– dy dyqaneve

– një garazhi (të ndodhura në qytetin e Tiranës dhe Durrësit të cilat kapin vlerën e dy  milion e dyqindmijë euro).

Pas një pune disa mujore në funksion të procedimit të regjistruar duke përdorur metodat speciale të hetimit, janë identifikuar pasuri të cilat nuk justifikoheshin nga ana ekonomike e financiare dhe rridhnin nga aktiviteti kriminal i dy vëllezërve.

/tvklan.al