Vendet e Ballkanit drejt heqjes së Roaming – TV KLAN

Vendet e Ballkanit drejt heqjes së Roaming

Vendet e Ballkanit Perëndimor më 4 Prill të këtij viti do të nënshkruajnë marrëveshjen për heqjen e çmimeve të shërbimeve roamig, që zbatohet në kuadër të telekomunikimit. Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe Kosova.

Tarifa e roaming-ut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një shtet tjetër, nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.

Marrëveshja për roaming ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, (Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë) është planifikuar të nënshkruhet në Samitin e dytë Digjital, që do të mbahet në Beograd.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, i cili pret të jetë i pranishëm në këtë samit në Beograd, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosova është e gatshme dhe ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për këtë marrëveshje.

Lluka, tha se më këtë pako do të ketë ulje të çmimeve të tarifave të romingut në mes vendeve të Ballkanit, e njëherësh do të mundësohet edhe thellimi i bashkëpunimit dhe do të shërbejë si urë komunikimi midis qytetarëve të këtyre vendeve.

Marrëveshja në tërësi, thotë Lluka, planifikohet të zbatohet në korrik të vitit 2021, kurse reduktimet në uljen e tarifave do të fillojnë nga 1 korriku i këtij viti.

“Deri në vitin 2021 do të ketë reduktime të obligueshme. Këto reduktime do të fillojnë nga 1 korriku i këtij viti. Për shembull, gjatë periudhës kalimtare për thirrje telefonike (llogaritur në euro), një minutë do të jetë 0.19 cent, për një mesazh (sms) 0.6 cent, kurse interneti do të jetë 2.5 centë për megabyte. Pastaj vitin tjetër zvogëlohen edhe më tutje, deri në eliminim të tërësishëm në vitin 2021”, tregon Lluka.

Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

Kurse në muajin prill të 2018 në Samitin e parë Digjital të mbajtur në Shkup, ishte paralajmëruar ulja e çmimeve të romingut mes vendeve të Ballkanit.  Në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka thënë se taksa ndaj mallrave serbe e vendosur nga autoritetet në Prishtinë nuk ka ndikuar në tregtinë ndërmjet Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, por se i ka rrezikuar gjitha marrëveshjet rajonale të cilat janë planifikuar të nënshkruhen.

Kryeministrja Brnabiç, me këtë rast ka njoftuar marrëveshjen për romingun e cila është planifikuar të nënshkruhet në Beograd. “Si të nënshkruhen marrëveshjet e reja kur ato të vjetrat nuk respektohen”, ka thënë Brnabiç në fund të muajit Shkurt, gjatë një konference për mediat.

Lidhur më këtë deklaratë, ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka konsideron se taksa nuk duhet të ndikojë në këtë nismë, pasi sipas tij, ky është projekt rajonal.

“Unë besoj se taksa nuk duhet të rrezikojë nënshkrimin e marrëveshjes. Në fakt kjo marrëveshje duhet të mbahet në nivel të ministrave, në nivel teknik, në mënyrë që të realizohet dhe qytetarët mos të pësojnë një mospërputhje të politikave të nivelit më të lartë”, thekson Lluka.

Ministri Lluka tha se ka marrë ftesë Komisionerja Europiane për Ekonomi Digjitale, Mariya Gabriel, e cila udhëheqë këtë proces, andaj ai tha se nuk pret pengesa nga autoritetet e Beogradit që delegaconi i Kosovës të marr pjesë në këtë samit.

“Pastaj kemi qenë në kontakt më palën serbe për aranzhimin e vizitës. Unë e kam konfirmuar kohën e arritjes në kufi, në Merdar, kemi konfirmuar numrin e personave që do të jemi të pranishëm atje dhe ikemi dhënë të gjitha informatat e detajuar të secilit person më kërkesë të palës serbe”, tha Lluka.

Ai tha se nuk pret problem rreth pjesëmarrjes së delegacionit të Kosovës, duke treguar se tashmë atij i është konfirmuar edhe hoteli ku do të akomodohen delegacionet, përfshi edhe atë nga Kosova.

“Është konfirmuar përcjellja nga ana e autoriteteve të Serbisë deri në vendin e caktuar. Të mërkurën pritet që unë të shkoj në Beograd dhe deri më tani nuk është paraqitur asnjë problem”, tha Lluka.

Ekspertë për çështje të telekomunikacionit, e mirëpresin nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, pasi që sipas tyre, heqja e çmimeve të shërbimeve roming, në kuadër të telekomunikimit, është në dobi të qytetarëve të të gjithë rajonit.

Agron Dida, ekspert për çështje të telekomunikacionit, e konsideron të leverdishme nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, por më me rëndësi, sipas tij, është respektimi dhe zbatimi i saj.

“Ky është një përfitim edhe për qytetarët edhe për operatorët e telefonisë mobile. Operatorët telefonik në gjithë vendet e rajonit duhet t’i shfrytëzojnë këto elemente pozitive për qytetarët, por edhe për përmirësimin e imazhit të tyre, pasi që imazhi i tyre në vendet e Ballkanit Perëndimor është negativ. Ne jemi koshientë për pakot e ndryshme të operatorëve të ndryshëm, që aktivizohen automatikisht, i marrin paratë dhe nuk e përfundojnë shërbimin. Kështu që ky vendim është një mundësi e mirë edhe për operatorët edhe për qytetarët”, tha Dida.

Përderisa ende vendet e rajonit nuk e kanë finalizuar një proces të tillë, Prishtina dhe Tirana zyrtare kanë nënshkruar marrëveshjen për heqjen plotësisht të tarifave të romingut, marrëveshje kjo që sipas ministrit Lluka do të fillojë të zbatohet nga Korriku i këtij viti./REL

Kategori
KosovaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*